
Ke menduar ndonjëherë si është e mundur që në të 20-at e tua takimet romantike dukeshin më natyrale, lidhjet më spontane dhe njerëzit thjesht “përputheshin” më lehtë me ty?
Dhe tani, në të 30-at ose 40-at, që je më i/e pjekur, më i/e suksesshëm/me, më i/e qartë për veten, gjithçka është kaq e pamundur në departamentin e dashurisë?
E po, sipas një trendi të ri në TikTok, kjo ndodh për një arsye shumë të thjeshtë dhe shumë të çuditshme: Teoria e Llambës.
Po çfarë është Teoria e Llambës?
E krijuar nga gazetarja britanike Louise Perry dhe popullarizuar nga TikToker-ja Allie Voss, kjo teori krahason kërkimin për një partner me... kërkimin për një llambë të mirë.
Kur je në fillimet e jetës tënde të rritur, ke pak standarde për një llambë. Do vetëm të ndriçojë dhomën dhe të mos jetë shumë e shtrenjtë. Merr të parën që sheh dhe ndoshta i përshtat të gjitha mobiliet e tjera rreth saj.
E njëjta gjë ndodh dhe me dashurinë: kur jemi të rinj nuk jemi aq kërkues. Japim shanse, mësojmë, nuk kemi një "stil" të përcaktuar jetese apo pritshmëri të forta.
Por më vonë...
Pas 10-15 vitesh, ke investuar në jetën tënde, karrierën, mirëqenien, kufijtë personalë, estetikën dhe vetëvlerësimin. Tani, një llambë nuk mund të jetë kudo. Duhet të jetë fiks ajo që të shkon me çdo cep të dhomës, përndryshe të prish gjithë atmosferën.
E njëjta ndodh dhe me një partner. Tani nuk kërkon dikë që “është mirë, është mjaftueshëm”, por dikë që nuk bie ndesh me vlerat, ritmin, jetën dhe standardet që ke ndërtuar.
Dhe për gratë e suksesshme?
Situata bëhet edhe më e ndërlikuar. Sa më shumë ngjitesh profesionalisht, aq më e vështirë është të gjesh dikë që nuk pengohet nga komplekset, krahasimi ose frika nga pavarësia jote.
Për këtë arsye, shumë njerëz përfundojnë duke bërë kompromise ose, siç thotë TikToker-ja Voss, “ndryshojnë pak nga ‘shtëpia’ që kanë ndërtuar vetëm që të përshtatet një llambë”. Pra, ndoshta sakrifikojnë pjesë të vetes vetëm që të bëjnë hapësirë për dikë.
Ka dritë në fund të... llambës?
Po, por me një kusht: duhet të jesh realist/e. Nuk mund të kërkosh dikë emocionalisht “të pastër” në të 30-at apo 40-at. Të gjithë kemi jetuar, përjetuar, gabuar e mësuar.
Çelësi? Gjej dikë që nuk është perfekt, por që përshtatet me jetën që ke ndërtuar, ashtu si një llambë që nuk bie në sy, por ndriçon saktësisht siç duhet.
Burimi: Your Tango