
Getinjo, avokati (besojmë i papaguar) i Mozzik, gjithashtu ka bërë një reagim në mbrojtje të të vëllait, për rastin e orës Richard Mille, e cila rezultoi të ishte imitim.
Një rikujtesë e vogël: Mozzik u ndalua në aeroportin e Prishtinës, për posedimin e dy sendeve “me vlerë”, orët Richard Mille dhe Rolex. Më tej, Dogana e Kosovës doli me një deklaratë ku pretendoi se orët janë origjinale dhe Mozzik i detyrohej doganës diku te 5,000 euro, për deklarimin e sendeve me vlerë, por më pas, doli që orët ishin imitim.
Që të rikthehemi tek arsyeja pse ti klikove artikullin: Getinjo, përmes një postimi në Instagram, na tha praktikisht të mos ngutemi në shkrime dhe mendime, pasi s’ia dimë hallin tjetrit.
“Euforik dhe shumë të ngutshëm secili nëpër faqe dhe portale interneti. Por asnjëri nuk e di hallin dhe presionin e tjetrit. Të gjithë mundeni të talleni me secilin, por ne nuk bëjmë shaka me veten asnjëherë”.
Më tej, shtoi se kabinetit të qeverisë duhet t’i vijë zor që merret me një djalë të ri që i ka bërë paratë me punë dhe i ka të gjitha të faktuara (shto meme-n: me dokuuumenteeee!).
“Turp për një kabinet të tërë dhe ministrit që merren me një artist të muzikës; një djalë të ri që gjithë paratë i ka bërë me punë dhe me fakte bankare e letra origjinale”.
Getinjo na sqaroi se ata sërish e duan shtetin, por që janë ca njerëz që pozita që kanë i bën të mendojnë se janë Zoti, si dhe e mbylli me një mesazh motivimi që të mos ndalemi kurrë e të punojmë.
Shpresoj vërtet që kjo çështje të marrë fund dhe unë të shkruaj për diçka tjetër, më interesante.