
A e ke kapur ndonjëherë veten duke rrotulluar sytë kur flet me partnerin? Apo ndoshta i flet me një ton pak përçmues, me atë “po, sigurisht” që në fakt nënkupton “ohuuu, më lodhe”?
E po, sipas psikologëve, ky është sinjali më i fortë që një marrëdhënie po shkon drejt fundit.
Nuk është as tradhtia, as debatet për para
Sipas psikologut të njohur John Gottman, një nga studiuesit më të mirënjohur për marrëdhëniet në çift, përçmimi është parashikuesi numër një i divorcit.
Jo tradhtia, jo distanca emocionale, jo mungesa e komunikimit.
Thjesht përçmimi: sy që rrotullohen, sarkazma, tallja, dhe mënyra të vogla për t’i treguar tjetrit se e mendon më poshtë se veten.
Gottman e quan këtë fenomen një nga “katër kalorësit e apokalipsit të marrëdhënies”:
- Kritika e vazhdueshme
- Mbrojtja e tepruar (“po ti vetë çfarë bën?”)
- Muri i heshtjes
- Dhe më e rrezikshmja nga të gjitha: përçmimi.
“Varja/Nejse” është fjala që shkatërron çdo debat
Nëse fjala jote e preferuar gjatë debatit është “bëj ç’të duash”, “mirë pra”, apo “nejse” dhe "varja", ndalo tani.
Psikologët e quajnë këtë formë mospërfilljeje, që në thelb i thotë partnerit: “s’ka rëndësi çfarë thua, unë s’të dëgjoj më”.
Asgjë nuk dëmton më shumë një lidhje sa ndjesia se tjetri nuk po dëgjohet më.
Sarkazma nuk është humor, por sulm
Nëse përdor sarkazmën për të “shpëtuar” veten nga debatet apo për ta kthyer situatën në shaka, në fakt po e shton distancën. Siç thotë një nga studiueset e Institutit Gottman:
“Kur komunikojmë me përçmim, jemi vërtet të pamëshirshëm. Tallja, sarkazma dhe gjestet si rrotullimi i syve janë mënyra për t’i treguar partnerit se e përbuzim.”
Në kohë, ky qëndrim krijon mllef të mbledhur, më shumë grindje, dhe më pak respekt.
Mos e grumbullo zemërimin
Çiftet që e shprehin pakënaqësinë përmes përçmimit kanë më shumë mundësi të sëmuren, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Studimet tregojnë se tensioni dhe negativiteti i vazhdueshëm ndikojnë në sistemin imunitar, duke e bërë trupin më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve. Pra, përçmimi jo vetëm që “vret dashurinë”, por dëmton edhe shëndetin.




