
E kemi bërë të gjithë: postojmë një story dhe pas pak sekondash, e shohim. Pastaj e shohim sërish. Dhe sërish. Edhe pse e dimë saktësisht çfarë kemi postuar, diçka na shtyn ta rishohim – ndoshta për t’u siguruar që drita ishte mirë, që filtri ishte i duhura apo thjesht për të parë kush e ka parë.
Pse thuajse të gjithë përdoruesit e platformës nuk i rezistojnë dot tundimit për të parë çfarë kanë postuar në Story kur e dinë shumë mirë çfarë kanë ndarë me botën.
“Të shohësh veten nga jashtë”
Dr. Allison Forti, psikologe, tha për Mashable se tendenca për të parë postimet tona mund të shpjegohet pjesërisht përmes konceptit psikologjik të quajtur “të shohësh veten nga jashtë” që nënkupton se njerëzit e shohin veten ashtu si mendojnë se i shohin të tjerët.
“Njerëzit shohin pambarimisht postimet e tyre në Instagram për të informuar identitetin e tyre,” tha ajo. “Për shembull, nëse shohin një Story ku mendojnë se duken mirë, se kanë bërë të tjerët për të qeshur apo për të reflektuar dhe si rrjedhim, të tjerët i perceptojnë në një dritë pozitive, edhe ata vetë e perceptojnë veten pozitivisht."
Në fjalë të tjera, duke parë postimet tona sigurohemi se të tjerët mendojnë mirë për ne, që ne të mendojmë mirë për veten.
Një performancë në skenën dixhitale
Dr. Kent Bausman, ekspert i Sociologjisë Online në Maryville University e shpjegon fenomenin përmes konceptit sociologjik të dramaturgjisë: që jeta, vetja dhe ndërveprimet njerëzore janë si aktorët që performojnë në skenë.
“Kur nisim ditën, kur dalim rrugëve dhe ndërveprojmë me të tjerët, vëmë në skenë një performancë. Po i tregojmë botës kush jemi,” shpjegon Bausman. “Por kur kthehemi në shtëpi, zbresim nga skena dhe qetësohemi. Këtu kalojmë në prapaskenë dhe procesojmë çfarë ndodhi në skenë, pra si u paraqitëm para njerëzve.”
Në fjalë të tjera, kur postojmë gjatë ditës në Instagram Stories performojmë para tyre. Kur kthehemi në shtëpi dhe rishikojmë çfarë kemi postuar, analizojmë performancën tonë, sa interesantë, sa pozitivë, sa natyralë jemi.
A është e dëmshme?
Jo domosdoshmërisht. Të shohësh postimet e tua disa herë në ditë nuk është problem nëse nuk ndieni asnjë efekt negativ. Si çdo gjë tjetër në rrjetet sociale, çelësi është masa - pak vetëvlerësim është i shëndetshëm, por mos lejoni që numri i shikimeve të bëhet matësi i vlerës suaj.