
"Ah moj Anabel, nga t'ia nis. E kam menduar gjatë nëse duhej ta shkruaja këtë letër, por më në fund e vendosa që le të jetë kjo një mënyrë për të nxjerrë zërin tim. Sepse edhe pse ndarja ime ligjore u mbyll muaj më parë, unë nuk jam “e ndarë” realisht. Unë po i rris fëmijët e mi me një njeri që më urren. Dhe nuk isha fare e përgatitur për këtë lloj marrëdhënieje.
Kur ndahesh nga një burrë i tmerrshëm, shpesh fokusohemi te çlirimi që duhet të ndiejë gruaja më pas, themi "hë, se shpëtove”, sikur gjithçka mbaron me atë firmën e noterit. Askush nuk flet për realitetin që vjen pas: për përplasjet e vazhdueshme, për lodhjen mendore, për atë ndjenjën sikur po përpiqesh të rritësh fëmijët me një armik.
Në fillim, e pranoj: ndihesha vërtet e çliruar. Kisha kaluar një martesë të vështirë, me shumë kontroll emocional nga ana e ish-bashkëshortit dhe manipulime pa fund. Teksa gjyqi i divorcit vazhdonte, shpresoja që me kohën, dhe pse marrëdhënia jonë bashkëshortore kishte marrë fund, të paktën si prindër të mund të gjenim një rrugë bashkëpunimi dhe komunikimi. Të ishim dy të rritur që dinin ta ndanin përgjegjësinë.
Naivitet.
Sepse ajo që nuk kisha llogaritur në asnjë nga planet e kujdestarisë që firmosëm, ishte fakti që ai më urrente. Me gjithë qenien e tij. E tani, më shumë se ish-bashkëshortë, jemi si dy ish-boksierë të cilëve u kanë thënë: tani do të vazhdoni të luftoni me mesazhe në WhatsApp dhe takime gjithmonë agresive.
Ai më sheh si armiken e tij dhe përdor çdo mundësi për të ma treguar. Nuk është se më flet më me zë të lartë në publik, tani më poshtëron me heshtje, me injorim, me fjalë të rënda në telefon, me mosrespektim të marrëveshjes, me zhdukje të papritura që më detyrojnë të shpik justifikime për fëmijët tanë.
“Babi ka shumë punë”, “Babi është me nënën”, “Babi është i lodhur”. Ndonjëherë nuk paraqitet me javë të tëra për fëmijët e vet. Dhe kur i takon, nuk e di fare çfarë kanë bërë fëmijët gjatë mungesës së tij, nuk e di që vajza ka filluar një kurs, ose që djali e urren shkollën.
Ia kam gjetur vetë "diagnozën": ai është dadoja më e shtrenjtë në botë. Një dado që e merr detyrën kur të kujtohet, pi në detyrë, dhe i lejon fëmijët tanë 10-vjeçarë të shohin filma që nuk do guxoja t’i lija të shihnin as në moshën 18 vjeç. Të ishte dado e vërtetë, do ta kisha pushuar me kohë. Por ai është “babai”.
Në letër kemi një marrëveshje për ndarjen e kohës me fëmijët. Por vetëm njëri prej nesh është prindi në këtë histori. Dhe është ai që u jep ushqim fëmijëve, që organizon aktivitetet jashtëshkollore, kontrollon detyrat, ndjek oraret, shkon në mbledhjet e shkollës, lexon mesazhet nga mësueset. Ai person jam unë.
Nëse do të më paguanin për gjithë punën që bëj si prind, do të kisha krijuar një biznes me kohë të plotë. Por jo, gjithçka është “normale” kur e bën një grua. Dhe në rastin tim, edhe pas ndarjes, asgjë nuk ka ndryshuar. Vetëm se tani nuk e kam më “bashkëshortin” të më injorojë brenda shtëpisë. Tani e kam jashtë saj, por me të njëjtin ndikim emocional.
Njerëzit më thonë: “U ndave, tani je mirë”. Dhe në shumë mënyra, po, jam më mirë. Por të ndahesh nga një burrë që të ka dhunuar emocionalisht për vite, nuk është “çlirim”. Është një proces i ngadalshëm rikuperimi dhe ky rikuperim nuk ndodh kurrë kur çdo dy javë duhet të komunikosh me njeriun që të ulëret “je psikopate” me mesazhe.
Por e vetmja gjë që kam nën kontroll është sjellja ime. Unë nuk mund të ndryshoj atë. Nuk mund ta bëj burrë të mirë. Nuk mund ta bind të jetë baba i pranishëm, jo më një baba i mirë. Nuk mund ta bind të mos më urrejë. Ajo që mund të bëj, është të fokusohem te fëmijët e mi, te shëndeti im mendor dhe të mësoj ta lë telefonin mënjanë kur ai dërgon mesazhet e tij të helmatisura.
Ndoshta është koha të ndalojmë së quajturi këtë situatë “bashkëprindërim”, kur në fakt nuk jemi bashkë dhe s'ka as prindërim të mirëfilltë në këtë mes.
Nëse kjo letër arrin të prekë ndonjë tjetër grua që po kalon të njëjtën gjë, do të ndihem më pak e vetmuar. Sepse të jesh nënë, e divorcuar dhe e detyruar të bashkëjetosh virtualisht dhe më pak herë fizkisht me urrejtjen e dikujt që dikur e doje, është një lloj tjetër dhimbjeje që meriton zë." - shkruar nga një zonjë për Anabel, për rubrikën "Mes nesh".
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.