Cikli menstrual është pasojë e ndryshimeve fiziologjike që ndodhin tek femra në mënyrë periodike dhe ka si qëllim maturimin e vezës dhe përgatitjen e kushteve për implantimin e vezës së fekonduar. Cikli lidhet me prodhimin e disa hormoneve që quhen: Hormoni folikulo-stimulues (FSH), hormoni lutenizues (LH), estrogjeni, estradoli dhe progesteroni. Simptomat që ndodhin vijnë nga ndryshimet fiziologjike në organizëm, të cilat shkaktohen nga hormonet e mësipërme.
TË SHMANGIM SJELLJET HORMONALE!
Mënyra më e mirë për të parandaluar dhe trajtuar simptomat që ndodhin në fazën paramenstruale dhe gjatë menstruacioneve është dieta e shëndetshme ushqimore. Duhet të konsumojmë: perime, fruta, lëngje natyrale, ujë, çaj kamomili. Rekomandohet edhe aktivitet fizik i moderuar, joga dhe gjumë i mjaftueshëm.
USHQIMET QË DUHEN SHMANGUR!
Në fazën paramenstruale dhe gjatë menstruacioneve duhen shmangur disa ushqime, të cilat përkeqësojnë simptomat. Ëmbëlsirat: Përmbajnë disa substanca që shtojnë dhimbjet e barkut. Rekomandohet vetëm çokollata e zezë, e cila përmban substanca që lehtësojnë simptomat.
Kripa: Jo ushqimeve me shumë kripë, pasi rrit mbajtjen e ujit në organizëm duke përkeqësuar ndjesinë e fryrjes, si dhe përkeqëson simptomat.
Kafeina: Përkeqëson simptomat e fazës paramenstruale. Mund të përdoret kafe pa kafeinë.
Pijet alkoolike: Shkaktojnë dehidratimin e trupit duke përkeqësuar simptomat paramenstruale.
Yndyrnat: Shkaktojnë probleme në traktin tretës dhe përkeqësojnë simptomat.
Dr. MERITA ALUSHANI, Obstetër - Gjinekologe
Fryrje, lodhje, dobësi, dhimbje barku e koke, djersitje, uri për të ëmbla e më pas menjëherë të kripura, por, mbi të gjitha, luhatje humori. Këto janë ato çka përjetojmë të gjitha ne, kush më pak e kush më shumë, gjatë ciklit menstrual. Mjekja obstetër-gjinekologe, Merita Alushani, na shpjegon arsyet e kësaj sjelljeje e si ta shmangim atë, si dhe iu përgjigjet pyetjeve tuaja lidhur me ciklin menstrual
Jam 23 vjeçe dhe zakonisht, kur jam gjatë ciklit, ndihem shumë e lodhur. Është kjo një simptomë normale e menstruacioneve?
E nderuar zonjushë, pjesa më e madhe e femrave paraqesin disa shenja gjatë menstruacioneve, si: dobësi, lodhje, fryrje, dhimbje në fund të barkut, çrregullime të traktit tretës apo luhatje emocionale. Pra, nëse ju ndjeni lodhje vetëm gjatë këtyre ditëve, si dhe nëse sasia e fluksit tuaj menstrual është ndërmjet 10-80 ml, atëherë nuk përbën asgjë për t’u shqetësuar.
Ç’do të thotë kur menstruacionet janë të çrregullta, pra, nuk vijnë me data fikse?
Intervali normal ndërmjet dy menstruacioneve është mesatarisht 28 ditë, por mund të variojë nga 21 deri në 36 ditë. Menstruacionet zgjasin mesatarisht 4-7 ditë dhe sasia e fluksit menstrual varion nga 10 deri në 80 ml. Çrregullimet e ciklit menstrual lidhen kryesisht me çrregullime hormonale, por duhen përjashtuar dhe anomalitë strukturale të uterusit dhe ovareve me ekzaminim ekografik. Mënyra më e mirë është konsulta me mjekun gjinekolog.
Vajza ime mbushi 10 vjeçe para disa muajsh. Një muaj më vonë i erdhën periodat. Ajo po zhvillohet shumë shpejt në këtë periudhë. A mos është ky një mbiprodhim i hormoneve?
E nderuar zonjë, vajza juaj nuk paraqet asgjë për t’u shqetësuar. Ajo ndodhet në periudhën e pubertetit. Në këtë fazë ndodh rritja e shpejtë e trupit, rritja e gjoksit, dalja e qimeve në sqetulla dhe në zonën gjenitale, si dhe ardhja e menstruacioneve. Puberteti tek vajzat ndodh ndërmjet moshës 8-16 vjeçare. Pra, vajza juaj 10-vjeçare i përket këtij intervali dhe zhvillimi i saj i shpejtë është normal.