Gjykata franceze ka dhënë verdiktin për një ndër rastet më shokuese! Ish-kirurgu francez, Joël Le Scouarnec, sot 74 vjeç, është dënuar me 20 vjet burg, për abuzim seksual të qindra pacientëve, shumë prej tyre nën moshën 15 vjeç. Me dënimin e tij, përfundoi edhe gjyqi më i madh për abuzimin ndaj fëmijëve në historinë e Francës.
Joël Le Scouarnec punoi si kirurg gastrointestinal në spitale publike dhe private në perëndim të Francës. Gjatë karrierës së tij, ai shpesh operoi fëmijë që vuanin nga apandesiti.
Gjatë gjyqit tremujor në Vannes, ai u akuzua për 111 përdhunime dhe 189 sulme seksuale në periudhën 1989-2014 në spitale të ndryshme. Shumë nga fëmijët që ai abuzoi ishin nën anestezi ose sapo ishin zgjuar pas operacioneve. Disa u abuzuan në shtretërit e tyre në spital. Mosha mesatare e viktimave ishte 11 vjeç.
Le Scouarnec më në fund pranoi të gjitha akuzat në gjykatë, duke thënë në deklaratën e fundit:
“Nuk po kërkoj mëshirë nga gjykata.”
Gjatë gjyqit ai tha: “Unë isha një kirurg që përfitoi nga statusi për të sulmuar fëmijët, nuk e mohoj këtë.”
Vlerësimet psikologjike treguan se ai vazhdon të jetë jashtëzakonisht i rrezikshëm.
Vetë avokati i Le Scouarnec, Maxime Tessier, i tha gjykatës: “Ai është plotësisht fajtor.”
Tessier shtoi se bota mjekësore dhe politikanët francezë duhet të nxjerrin mësime nga “dështimi i madh i sistemit shëndetësor”, që nuk e ndaloi Le Scouarnec gjatë dekadave të abuzimeve.
Le Scouarnec u raportua tek autoritetet franceze nga FBI në vitin 2004 pasi shihte imazhe të abuzimit ndaj fëmijëve në dark web. Në vitin 2005, ai u dënua në një gjykatë franceze për zotërim të materialeve të abuzimit ndaj fëmijëve dhe u dënua me 4 vjet burg me kusht, por gjykata nuk vendosi që ai të mos punonte më me fëmijë.
Ai vazhdoi të merrte poste prestigjioze në spitale në të gjithë Francën deri kur doli në pension, në vitin 2017 dhe abuzoi sistematikisht me fëmijët që u nënshtroheshin operacioneve që ai kryente.
Grupet e viktimave dhe aktivistët për mbrojtjen e fëmijëve thanë se gjyqi solli në pah dështime serioze nga shteti dhe zyrtarët. Ata kërkuan një vlerësim të plotë nga qeveria për mënyrën se si kirurgu mundi të vazhdonte të punonte dhe të abuzonte për kaq gjatë. Dënimi me 20 vite burg është maksimumi që Le Scouarnec mund të marrë për përdhunim të rënduar. Në Francë, dënimet nuk grumbullohen, ndryshe nga SHBA ku Le Scouarnec do të ishte dënuar me 2,000 vite burg, sipas prokurorit të shtetit, Stéphane Kellenberger.
Le Scouarnec ndodhet tashmë në burg pasi u dënua në dhjetor 2020 me 15 vite për përdhunim dhe abuzim seksual ndaj 4 fëmijëve. Kellenberger tha se pritet një tjetër gjyq pasi zyra e prokurorisë hapi një hetim për të gjetur më shumë viktima që nuk përfshihen në çështjen aktuale.
“Ti ishe djalli dhe ndonjëherë djalli vishet me mantelin e bardhë,” i tha Kellenberger ish-kirurgut.
Dënimi i tij në vitin 2005 nuk u raportua automatikisht në spitalet ku ai punoi. Ai u punësua në disa spitale rajonale që vareshin nga ekspertiza e tij për të qëndruar hapur.
Në një rast, Le Scouarnec i kishte treguar Michèle Cals, ish-drejtoreshës së spitalit “Jonzac” në Francën perëndimore për dënimin e tij të vitit 2005, duke thënë se kishte parë imazhe abuzimi ndaj fëmijëve vetëm sepse ishte ndarë nga gruaja. Cals nuk mori asnjë paralajmërim për të mos u punësuar, ndaj vijoi sërish aktivitetin. “Na duheshin kirurgë,” i tha ajo gjykatës.
Cals tha se dënimi i vitit 2005 nuk ia ndalonte të ishte pranë të miturve. Ajo pranoi se “nuk hulumtoi mjaftueshëm” dhe e cilësoi si një “dështim” nga ana e saj dhe e eprorëve.
Joël Belloc, kreu i Urdhrit të Mjekëve në Charente-Maritime, ku Le Scouarnec e përfundoi karrierën, u pyet nëse mund të kishte vepruar ndryshe. Ai tha: “Me mendje të kthjellët, është e qartë që po.” Ai shtoi se “perceptimet ishin ndryshe” në atë kohë.
Rreth 20 viktima të Le Scouarnec dhe të afërmit e tyre protestuan jashtë gjykatës më herët këtë muaj për atë që e quajtën “heshtja e botës politike”. Ata kërkuan ngritjen e një komisioni qeveritar për të adresuar mësimet nga rasti Le Scouarnec dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla. Grupi deklaroi: “Jemi të tronditur që gjyqi i shekullit nuk po shihet si një pikë kthese nga qeveria dhe nga publiku i gjerë.”
Manon Lemoine, tani 36 vjeç, një nga viktimat që Le Scouarnec pranoi ta kishte përdhunuar kur ajo ishte 11 vjeç, tha: “Po përpiqen ta paraqesin si një monstër, por kjo është monstra që shoqëria krijoi dhe e lejoi të vazhdonte rrugën e vet”.