Showbiz dhe TV

Për herë të parë pas shumë vitesh, Tuna flet hapur për konfliktin e supozuar me Nora Istrefin

Shkruar nga Anabel

27 Maj 2025

Për herë të parë pas shumë vitesh, Tuna flet hapur

Tuna Sejdi është rikthyer së fundmi në ekran me një intervistë të sinqertë për “The Dalina Show”, ku mes të tjerash foli për një nga temat më të përmendura ndër vite – marrëdhënien e saj me Nora Istrefin. Këngëtarja sqaroi se, ndryshe nga sa është përfolur shpesh në media, mes saj dhe Norës nuk ka pasur asnjëherë konflikt.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë [një konflikt me Norën]. Këto kanë qenë keqinterpretime të mediave. Këto kanë qenë ndoshta edhe indikacione për të dhënë një imazh të gabuar [për mua] nga njerëz që ndër vite më kanë bërë sulme në karrierë, sepse emri im është një karrem për lajme dhe shpeshherë këta njerëz janë munduar të kapen në momentin tim, të përgënjeshtrojnë situata, të shpifin. Shumë herë jam përmbajtur. I kam premtuar vetes një gjë: nuk do të lë asgjë të arkivuar për djemtë e mi, sepse do t’ia lë kohës,” tha Tuna.

E pyetur për marrëdhënien aktuale me Norën, veçanërisht tani që të dyja janë nëna single, Tuna tregoi se komunikimi i tyre është përmirësuar ndjeshëm:

“Besoj kjo është pika që ne kemi filluar një komunikim shumë më familjar, shumë më ndryshe. Nuk kemi pasur asnjëherë ndonjë skandal, ndonjë mosmarrëveshje, ndonjë kacafytje.”

Për më tepër, Tuna theksoi se fëmijët janë një tjetër urë lidhëse mes tyre. Djemtë e saj, Tian dhe Zen, kalojnë shumë kohë me Renee, vajza e Norës dhe Robert Berishës.

Si lindi miti i konfliktit Tuna–Nora?

Për ata që kanë nevojë për një përmbledhje: Historia e supozuar e përplasjeve mes Tunës dhe Norës e ka zanafillën rreth vitit 2018. Asokohe, dyshja që dikur kishin qenë mikesha, u gjend në qendër të vëmendjes mediatike pas dramave familjare me vëllezërit Berisha. Tuna ishte martuar me Patris Berishën – vëllain e ish-bashkëshortit të Norës, Robertit – dhe papritur dy shoqet u shndërruan në kunata me raporte të acaruara.

Për herë të parë pas shumë vitesh, Tuna flet hapur

Çështja nisi të diskutohej publikisht kur Robert Berisha deklaroi hapur në TV se ai (dhe rrjedhimisht Nora) nuk flisnin me Tunën. I pyetur në emisionin “Rudina” nëse takoheshin me të, Roberti u përgjigj prerazi: “Me Tunën jo dhe as nuk dua të takohem më!” Madje ai shkoi më tej duke akuzuar Tunën se “ka probleme me të gjithë… vetëm ajo është në rregull”. Këto fjalë të forta në atë kohë vulosën idenë se mes Tunës dhe familjes Berisha (ku bënte pjesë edhe Nora) kishte përçarje serioze.

Nga ana tjetër, vetë Nora u përpoq ta ulte “flakën” e konfliktit publikisht. Në vitin 2019, e ftuar te “Xing me Ermalin”, ajo u shpreh me diplomaci se e respektonte Tunën si artiste dhe nuk kishte asnjë problem personal me të.

Për herë të parë pas shumë vitesh, Tuna flet hapur

Pas gjithë asaj që ndodhi, pak kush do ta kishte parashikuar rrjedhën e ngjarjeve në vitet pasuese. Periudha 2018-2020 shënoi një periudhë ndryshimesh të mëdha personale për të dyja artistet. Nora dhe Robert Berisha i dhanë fund martesës, ndërsa Tuna dhe Patrisi po ashtu u ndanë përfundimisht. Të qenit nëna single, ndoshta ndikoi në forcimin e marrëdhënies së tyre, e cila siç Tuna vuri në dukje në “The Dalina Show”, nuk kishte qenë kurrë problematike.

Së fundmi, shoqet dhe ish-kunatat sollën edhe një bashkëpunim, këngën “My Love”.

Artikuj të rekomanduar: