Izraeli synon të kontrollojë 75% të Gazës brenda dy muajsh
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë bërë të ditur përmes mediave lokale se planifikojnë të marrin nën kontroll rreth 75% të Rripit të Gazës brenda dy muajve të ardhshëm.
Ky pretendim vjen në një kohë që sulmet izraelite në Gaza po shtohen, me qëllimin për të ushtruar presion ndaj Hamasit për lirimin e pengjeve izraelite që mbeten ende në robëri.
Në kuadër të këtij operacioni të zgjeruar ushtarak, Izraeli njoftoi se do të nisë një mekanizëm të ri për shpërndarjen e ndihmave humanitare, do të zhvendosë popullsinë palestineze në tre zona të vogla brenda Gazës dhe më pas do të pushtojë ¾ e territorit.
Zgjedhjet presidenciale në Poloni: Garë e ngushtë mes dy kandidatëve
Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Poloni pritet të ketë një rezultat shumë të ngushtë, duke vënë dy kandidatët “kokë më kokë”.
Kandidati i Koalicionit Qytetar, Rafal Trzaskowski, dhe kandidati i mbështetur nga partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), Karol Nawrocki, deklaruan se fitorja e tyre do të ishte fitore për të gjithë Poloninë.
Të dielën, dhjetëra mijëra qytetarë nga e gjithë Polonia morën pjesë në marshime patriotike në Varshavë, teksa mbështesnin kandidatin e tyre të preferuar.
Trump kritikon Putinin për sulmet në Ukrainë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehu shqetësim për sulmet e fundit të Rusisë ndaj Ukrainës, duke thënë se "nuk është i kënaqur me atë që po bën Putin".
"Ai po vret shumë njerëz. Nuk e di çfarë dreqin i ka ndodhur," tha Trump për gazetarët. "E njoh prej kohësh. Gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të mira. Por tani po lëshon raketa në qytete dhe po vret njerëz. Nuk më pëlqen aspak," shtoi Trump.
Moskë ndërmori një seri sulmesh me dronë dhe raketa ndaj qyteteve dhe fshatrave ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev, duke vrarë të paktën 12 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.
Rusia dhe Ukraina përfundojnë shkëmbimin më të madh të robërve që nga nisja e luftës
Të dielën, Rusia dhe Ukraina përfunduan shkëmbimin e 1,000 të burgosurve nga secila palë, me dorëzimin e 303 robërve të fundit.
Shkëmbimi tre-ditor, që nisi të premten, është më i madhi që nga fillimi i luftës tre vite më parë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi përfundimin e shkëmbimit përmes një postimi në rrjetin X, duke shkruar: “303 ushtarë ukrainas janë kthyer në shtëpi.”
Marrëveshja për shkëmbimin u arrit në Stamboll më herët këtë muaj, gjatë bisedimeve të para “ballë për ballë” mes dy palëve që prej nisjes së konfliktit.