Zgjedhja e Papës së ri, Robert Francis Prevost, na kujtoi një prej historive interesante të konklavës më të gjatë në botë, të mbajtur nga nëntori i vitit 1268 deri në shtator të vitit 1271. Kjo konklavë zgjati 992 ditë ose 33 muaj.
Pavendosmëria e kardinalë në atë e pokë ndodhi pas vdekjes së Papa Klementit IV dhe për gati tre vjet, ata nuk arrinin të binin dakord për një pasardhës. Arsyeja kryesore ishte ndarja e thellë mes fraksioneve politike brenda Kolegjit të Kardinalëve – disa favorizonin interesat franceze, të tjerë ato italiane.
Populli dhe autoritetet civile u lodhën nga vonesa. Si reagim, qytetarët e Viterbos (konklava u mbajt në Virtebo dhe jo në Romë), mbyllën kardinalët në një ndërtesë dhe madje hoqën çatinë, duke i ekspozuar ndaj shiut dhe diellit, që të përshpejtonin vendimin. Për më tepër, ata kufizuan ushqimin – një mënyrë drastike për të nxitur daljen e tyre në një përfundim.

Më në fund, pas gjithë atij presioni, u zgjodh Papa Gregori X, i cili nuk ishte as prift në atë kohë – ai ishte një laik me përvojë diplomatike.

Pas kësaj ngjarjeje, ai vendosi rregulla të reja për të parandaluar që konklavat të zgjasnin kaq shumë, përfshirë edhe mbylljen e kardinalëve në një ambient të izoluar, siç praktikohet edhe sot.
Procesi i konklavës është tërësisht sekret dhe kardinalëve nuk u lejohet që të përdorin telefonat apo mjete komunikimi me botën jashtë Kapelës Sistine. Ata dorëzojnë telefonat; Kapela Sistine kontrollohet për pajisje përgjimi dhe instalohen edhe pajisje për bllokimin e sinjaleve. Secili kardinal bën një betim për ruajtjen e sekretit.
Mjeshtri i ceremonive liturgjike papnore thotë “Extra omnes” (“Të gjithë jashtë”). Të gjithë të pranishmit, përveç kardinalëve votues dhe një numri të vogël zyrtarësh dhe mjekësh, largohen dhe dyert mbyllen.
Nuk ka fjalime apo debate brenda Kapelës Sistine. Dita e kardinaleve nis me meshë. Kardinalët do të ndalojnë për drekë rreth orës 12:30 dhe do të kthehen në Kapelën Sistine pasdite për raunde të tjera votimi. Ata luten së bashku në mbrëmje dhe kthehen në shtëpinë e mysafirëve “Santa Marta” për darkë. Nëse nuk ka rezultat pas tre ditësh, kardinalët mund të marrin një ditë pushimi për lutje dhe reflektim.
Çdo kardinali i caktohet një tavolinë, mbi të cilën ndodhen një stilolaps dhe një grumbull fletësh votimi me fjalët “Eligo in summum pontificem” (“Zgjedh si Papë suprem”) të shkruara në krye. Ata shkruajnë emrin që duan, palosin fletën dhe e vendosin në një enë bronzi.
Fletët e votimit numërohen dhe rinumërohen përpara se të shpohen me gjilpërë – nëpërmjet fjalës “eligo” – dhe të lidhen në një tufë. Pastaj digjen. Nëse nuk ka rezultat, shtohen kimikate për të bërë tymin të zi; nëse zgjidhet një kandidat, tymi bëhet i bardhë.
Tymi kalon përmes një oxhaku të instaluar në çati. Zjarrfikësit e Vatikanit janë në gatishmëri nëse ndodh ndonjë incident.
Kur tymi i bardhë del nga oxhaku, bien edhe kambanat, duke i sinjalizuar turmës jashtë se “habemus Papam” – “Kemi një Papë (të ri)”.
Artikuj të sugjeruar: