Protesta kundër qeverisë në Izrael pas miratimit të planit për pushtimin e Gazës
Protesta kundër qeverisë kanë shpërthyer në Izrael vetëm pak orë pasi kabineti i kryeministrit, Benjamin Netanyahu, miratoi planin për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës.
Qindra persona u mblodhën para parlamentit izraelit, duke kërkuar një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve që mbahen ende në Gaza.
Qeveria izraelita ka miratuar një plan për të pushtuar të gjithë territorin e Gazës dhe për të qëndruar aty për një kohë të pacaktuar, sipas dy zyrtarëve. Ky hap, nëse zbatohet, do të zgjerojë ndjeshëm operacionet ushtarake të Izraelit dhe ka gjasa të nxisë reagime të ashpra ndërkombëtare.
Kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu, jep dorëheqjen pas humbjes në zgjedhje
Kryeministri rumun Marcel Ciolacu dha dorëheqjen të hënën, një ditë pasi kandidati i koalicionit qeverisës të qendrës nuk arriti të kalonte në balotazhin presidencial.
Ciolacu e kishte ofruar dorëheqjen edhe në dhjetor, pas zgjedhjeve të anuluara të shoqëruara me skandale, ku kandidati ultranacionalist, Calin Georgescu, befas fitoi raundin e parë.
Të dielën, koalicioni, i përbërë nga PSD-ja e majtë e Ciolacut, partia liberale PNL dhe partia e pakicës hungareze UDMR/RMDSZ, nuk arriti të bindte qytetarët të mbështesnin kandidatin Crin Antonescu, në një raund të parë të përsëritur votimesh që pasuan krizën zgjedhore të dhjetorit.
Zelensky: Ukraina do të marrë tre milionë predha nga aleatët
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina pret të marrë rreth tre milionë predha artilerie nga aleatët këtë vit.
Gjatë një takimi me presidentin çek dhe ish-gjeneralin e NATO-s Petr Pavel, Zelensky shtoi se janë në diskutim plane për hapjen e një shkolle trajnimi për pilotët ukrainas të avionëve F-16, në bashkëpunim me Çekinë.
“Për arsye sigurie, nuk mund të hapim një bazë të tillë në Ukrainë për momentin. Sulmet ruse vazhdojnë çdo ditë, prandaj po punojmë me partnerët që këto shkolla të hapen jashtë vendit,” sqaroi ai.
Gjatë takimit, Zelensky përsëriti thirrjen për një pauzë 30-ditore në luftime, siç ishte propozuar më parë nga SHBA, dhe shprehu besimin se një armëpushim me Rusinë është i mundur.
Papa Françesku dhuron një papamobil për fëmijët e Gazës para vdekjes së tij
Donacioni i Papa Françeskut, shkruar para ndarjes nga jeta, u shpall të njëjtën ditë kur Izraeli miratoi planin për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës.
Sipas organizatës humanitare Caritas, Papa ka dhuruar një nga automjetet e tij zyrtare, papamobilin, për t’u shndërruar në një njësi shëndetësore mobile për fëmijët e Gazës.
Degët e Caritas-it në Jeruzalem dhe Suedi publikuan fotografi të automjetit të përshtatur për këtë qëllim ditën e hënë.
Nuk është bërë ende e ditur kur do të vihet në funksion mjeti.
Donacioni u njoftua në një moment kritik, kur tensionet në rajon janë përshkallëzuar dhe Izraeli ka konfirmuar qëllimin për të qëndruar në Gaza për një kohë të pacaktuar.