Showbiz dhe TV

I përlotur, Agron Llakaj flet për bashkëshorten e ndjerë: “E di që shpirti i asaj më ndjek nga lart”

Shkruar nga Anabel

10 Tetor 2024

I përlotur, Agron Llakaj flet për bashkëshorten e ndjerë:

Agron Llakaj, i ftuar në “Vizioni i Pasdites”, foli ndër të tjera për periudhën e vështirë që po kalon, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes së tij, Kostandinës. Moderatorja Brikena Prifti e pyeti Agronin për programin më të ri që do të nisë, “Papare Najt”, duke i thënë se ky emision vjen në momentin më sfidues të jetës së tij. Aktori, i përlotur, u shpreh:

“Unë nuk do të doja ta cekja këtë temë, sepse e di që janë kohët më të vështira në jetën time. Më duhet të qesh, kur nga brenda qaj dhe e kam shumë të vështirë. Më tepër më rrok pjesa e vuajtjes dhe e dhimbjes, edhe pse mundohem ta kaloj. Pardje isha në një ceremoni dhe më erdhi një nënë në moshë, më tha: “Bëhu i fortë Agron, do na bësh për të qeshur, sepse është mision. Ti duhet të jesh më i fortë në këtë mision, pasi të gjithë kemi nga një shpirt, por ti ke dy, ke dhe shpirtin e Kostandinës”. Më mungon tmerrësisht, pse më futët në këtë pyetje?”, tha aktori, dukshëm i prekur.

I përlotur, Agron Llakaj flet për bashkëshorten e ndjerë:

Më tej, ai tha se fëmijët dhe nipërit e mbesat janë shpresa e tij.

“Ata janë burim motivimi, shprese. Nuk e dija që Zoti do më rezervonte këtë lloj fati, se thonë që Zoti të sprovon për të treguar se sa i fortë është njeriu, unë nuk jam kaq i fortë, nuk futem tek ajo seri e njerëzve. Dikur i thoja Kostandinës se është “Agronizuar”, tani kuptoj që jam “Kostandinizuar”. Unë duhet të marr dashurinë e atyre të vegjëlve, por dhe të rriturve. Ime bijë pati ditëlindjen më 22 gusht dhe nuk mund t’i thoja veçse: “Unë nënë për ty nuk mund të bëhem kurrë”.

“Është një kohë kur nuk e kuptoj edhe vetë se ku jam. Si ndjenjë e kam, kërkoj të qesh brenda së qarës time, të mbys të qarën me të qeshur dhe sërish qaj. Kërkoj në një perde të errët një pikë dielli, për të ardhmen e fëmijëve të mi. E di që shpirti i asaj më ndjek nga lart”, u shpreh ai.

I përlotur, Agron Llakaj flet për bashkëshorten e ndjerë:

Në maj të këtij viti, Agron Llakaj humbi të shoqen. Aktori i humorit, përmes një postimi në Instagram, rrëfeu dhimbjen dhe tregoi se e shoqja humbi jetën për shkak të një sëmundjeje.

“Kostandina ime e shtrenjtë! Edhe pse t’i kam thënë shumë e shumë herë, sot, në lamtumirën tënde të fundit, dua që t’i kesh me vete. Kemi pasur një rrugëtim të vështirë, të lodhur dhe me shumë sakrifica…ëndërruam për një jetë të re dhe me shumë ambicie. E që unë të mbaroja shkollën e lartë të arteve, ti sakrifikove nga jeta jote, rrite dy fëmijët: Alkidën dhe Enon”, shkroi ai asokohe.

Agroni dhe Kostandina kanë qenë të martuar për rreth 40 vite. Shpeshherë, aktori i humorit ka shprehur të gjithë mirënjohjen dhe dashurinë për të shoqen, duke treguar se kur erdhi në Tiranë, në moshën 27-vjeçare dhe ishin prindër të dy fëmijëve, Kostandina mori përsipër të rriste fëmijët dhe të sakrifikonte shumë për familjen.

Artikuj të sugjeruar: