Në prime-n e mbrëmshëm të “BBVA 3”, Françeska takoi të ëmën dhe përpos emocioneve që përcollën, na bëri përshtypje fakti që banorja i drejtohej së ëmës si “mami Albana”. Nisur nga kjo, bëmë ca kërkime për disa nga arsyet pse disa njerëz u thërrasin prindërve si “mami” dhe “babi”, ndrësa disa të tjera, u drejtohen me emër.
Disa nga arsyet e mundshme janë:
Kultura dhe normat familjare
Mënyra se si ne i thërrasim prindërit lidhet edhe me kulturën dhe sfondin familjar. Kjo, mund të jetë në varësi të marrëdhënies së krijuar, moshës së prindërve, apo historikut, pra, mënyrës se si fëmijët u janë drejtuar prindërve qysh prej fëmijërisë.
Preferenca e prindërve
Disa prindër mund të duan që fëmijët t’u drejtohen në emër, për të thyer kështu steriotipe, ose për të ndërtuar një marrëdhënie miqësore me fëmijët.
Qëndrimi mes të rriturve
Një fëmijë që rritet mes të rriturve, mund ta thërrasë prindërit me emër, sepse në këtë mënyrë është mësuar. Të rriturit i drejtohen njëri-tjetrit me emër, në rastet e zakonshme dhe kështu, fëmijëve “u rrihet veshi” që t’u drejtohet prindërve në mënyrën se si u drejtohen të rriturit.
Marrëdhënia mes familjarëve dhe zgjedhjet personale
Në shumë raste, prindërit dhe fëmijët ndërtojnë një marrëdhënie të tillë, që u thërrasin njëri-tjetrit me emrat e plotë, ose me një nofkë të caktuar, duke shmangur kështu përdorimin e fjalëve “mami” dhe babi”. Nga ana tjetër, mund të jetë totalisht një zgjedhje personale, që varet nga kufijtë, raporti dhe dëshira se si njerëzit duan t’u drejtohen prindërve, nisur nga pavarësia dhe dinamika e marrëdhënies.
Krisja e një marrëdhënieje dhe pajtimi
Në ndonjë situatë të caktuar, mund të ndodhë që prindërit dhe fëmijët të kenë një shkëputje në marrëdhënien e tyre dhe kur pajtohen sërish, mund të kenë lënë pas emërtimet “mami” dhe “babi”.
Prindërit mund të mos jenë prindërit biologjikë
Në disa raste kur prindërit janë adoptues, zgjedhin që t’u thërrasin prindërit me emrat e tyre, në varësi të marrëdhënies dhe dëshirës reciproke.
Përdorimi i emrave të prindërve ose roleve si “mami” dhe “babi”, varet nga natyra e marrëdhënies dhe varet nga zgjedhjet personale të gjithsecilit.