Antony Blinken thotë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në konferencën e zhvilluar në Vienë me homologun e tij në Austri, Alexander Schallenberg, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë me përpikmëri të gjitha marrëveshjet që janë arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Blinken u shpreh se njerëzit në rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të bëjnë kthim pas, por të ecin para dhe të integrohen në BE.
Nisin zgjedhjet në Rusi
Shtetasit rusë do të votojnë sot për të zgjedhur presidentin e ri, që me shumë gjasa do të jetë sërish Vladimir Putin. Në garën zyrtare kandidojnë 4 persona, por për një vend si Rusia, kandidimi i tyre dhe fitorja e Putin cilësohet thjesht si një procedurë.
Putin pritet të sigurojë mandatin e pestë dhe për 6 vite të tjera. Çdo kandidat serioz nuk u lejua nga Kremlini që të kandidojë, duke nxjerrë problematika të ndryshme në kandidimin e tyre. Këto janë zgjedhjet e para në Rusi pas pushtimit të Ukrainës.
SHBA dhe aleatët paralajmërojnë Iranin: “Mos i dërgo raketa balistike Rusisë”
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë paralajmëruar Iranin se do të vendosin të tjera sanksione ndaj vendit nëse vijon me planin për t’i dërguar raketa balistike Rusisë, në luftën e saj me Ukrainën.
Administrata e Joe Biden, për muaj me radhë ka ngritur alarmin se Rusia po i kërkon Iranit ta furnizojë me rakete balistike me rreze të shkurtër veprimi, pasi po haset me mungesë armësh. Ndonëse SHBA ende nuk ka konfirmuar nëse raketat janë dërguar, sërish i bën thirrje Iranit të mos e ndërmarrë si hap.
Shkatërrohet raketa e SpaceX gjatë kthimit në Tokë
Raketa më e madhe dhe e fuqishme ndonjëherë e ndërtuar nga SpaceX, kompania e Elon Musk, është shkatërruar gjatë kthimit në Tokë. Starship thuajse e përfundoi fluturimin, por u shkatërrua në Oqeanin Indian.
Sistemi 120 metra, i cili peshon rreth 5,000 ton kur furnizohet plotësisht me karburant, u ngrit nga porti kozmik i SpaceX, i quajtur Starbase, në Gjirin e Meksikës në Boca Chica, Teksas. SpaceX synon të përdorë anijen kozmike për të transportuar një ditë astronautët në Hënë dhe Mars.
Për herë të parë, anija e lundrimit të anijes kozmike fluturoi rreth globit, por kontakti u humb gjatë fazave përfundimtare të provës, pikërisht kur u rihyri në atmosferë .