Në website-n e saj, krahas informacioneve për shfaqjet, muzikën, rrjetet sociale dhe lajmeve, Kejsi Tola i ka kushtuar një hapësirë më vete asaj që njihet me termin “merchandise” i artistëve, ku promovon aktualisht tre produkte: një bluzë të bardhë me kapuç, kapuç dhe stickers (letra që ngjiten) me emrin e saj.
Kjo strategji marketingu (ku një emër/imazh/produkt përdoret për të shitur një tjetër), të paktën në modë, u fuqizua shumë aty rreth 2016-s, ku personazhe të njohur u fotografuan duke mbajtur veshje me logo/foto nga turet e albumeve të këngëtarëve të ndryshëm. Ndonëse bluzat dhe aksesorët me foto ose logo të artistëve e grupeve të njohura shiteshin prej dekadash, në fakt tre vite më parë një formë e tillë marketingu u shfrytëzua në të tjera nivele duke u vendosur edhe në funksion të modës, pa patur vetëm qëllim shitjen. Me të njëjtat ritme, merchandise vazhdon edhe në ditët e sotme. Veshjet me stampa e logo të personazheve të njohur janë cool dhe i bëjnë kombinimet të duken stil.





Fashionistat shihen duke mbajtur veshur ato që quhen si “merchandise” të artistëve, që fillojnë nga grupet legjendare të rrokut si Metallica, Guns N’ Roses e deri te Selena Gomez e Justin Bieber.

Në ditët e sotme, adoleshentët në mbarë botën, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, janë të dhënë pas bluzave me emrin apo fytyrën e Ariana Grande-s apo Billie Eilish.





Të njëjtën formë marketingu u përpoq të shfrytëzonte edhe Kylie Jenner, pas bujës që bëri fraza e saj “Rise and Shine”.
Nuk është hera e parë që një formë e tillë shitjesh përdoret në Shqipëri. Kujtojmë këtu albumin “Rapsodët n’Rap t’Sotit” të Mc Kreshës dhe Lyrical Son, i cili erdhi i shoqëruar me produkte me logon e labelit Pint.
Po kështu edhe Lori Hoxha, me rastin e 15-vjetorit të Digitalb, u pa e veshur me bluza ku shkruhej "ëndrra vazhdon". Digitalb shiti edhe produkte të tjera me logon e kompanisë ose shprehje të ndryshme.

