Për mendimin tonë

Jonidën nuk e penalizoi këndimi në gjuhën shqipe

Shkruar nga Sindi Salaj

19 Maj 2019

Jonidën nuk e penalizoi këndimi në gjuhën shqipe

Nga performanca e sikletshme e Madonna-s, simbolet politike dhe renditja e Shqipërisë në vendin e tetëmbëdhjetë, mbrëmja e djeshme ishte një ndër festivalet më zhgënjyes të Eurovisionit (me përjashtim të pjesës kur ish-konkurrentët Conchita, Måns Zelmerlöw, Eleni Foureira dhe Verka Serduchka performuan këngët e njëri-tjetrit). Nga këngëtarët shqiptarë që prekën finalen, “Ktheju tokës” renditet në vendin e fundit, Elhaida Dani, Kejsi Tola dhe Olta Boka në vendin e 17, Ledina Çelo dhe Juliana Pasha në të 16-in, Eugent Bushpepa pesë pozicione më sipër, ndjekur nga Anjeza Shahini në vendin e shtatë dhe Rona Nishliu që theu rekord duke u pozicionuar në vendin e pestë.

Bazuar në rezultatet e sondazhit në Anabel, duket se gjuha shqipe nuk ishte elementi kryesor që penalizoi Jonida Maliqin (Mahmood e renditi Italinë të dytën me "Soldi" në italisht). Referuar renditjes së mësipërme, kënga që e ka renditur Shqipërinë më sipër në klasifikim është kënduar në shqip. Po kështu edhe “Mall” e Eugent Bushpepës.

Megjithatë ndonëse jo një kriter fort i rëndësishëm, këndimi në gjuhën angleze duhet të jetë një pikë “e domosdoshme” për përfaqësimet e ardhshme. Këngët në anglisht janë më të lehta për t’u përthithur nga publiku europian. Nuk jemi profesionistë të muzikës, por mund ta themi me siguri që notat e larta të “Suus” e transmetonin qartë dhimbjen te publiku i huaj, por kjo nuk vlen për të gjitha rastet.

I treti në radhën e faktorëve që penalizuan “Ktheju tokës” është mungesa e një kënge më gjithëpërfaqësuese, larg problemeve lokale. Teksti i këngës, shkruar nga Eriona Rushiti, i referohet emigracionit. “Ktheju tokës tënde/ O njeri që zemrën le peng/ Ktheju tokës tënde/ Ti e di që një zemër të pret”. Sado (ose jo) problematike të jetë si situatë, është më tepër një “dramë” lokale sesa përfaqësim i problematikave europiane dhe botërore, si për shembull “Non mi avete fatto niente” e Ermal Metës dhe Fabrizio Moro-s në Eurosong 2018 –këngë kushtuar terrorizmit.

Faktori i dytë më penalizues është mungesa e elementeve të skenografisë. “Ktheju tokës” u shoqërua me drita në ngjyrë të kuqe të ndezur dhe flakë minimaliste.

Jonidën nuk e penalizoi këndimi në gjuhën shqipe

Pavarësisht se në total performanca ishte e kompletuar (vokal, veshje, zërat e dytë, drita) duket se skenografia është një element i rëndësishëm, të cilës organizatorët shqiptarë nuk i kushtojnë tepër rëndësi. Azerbajxhani kishte robotë që kërcenin,

Jonidën nuk e penalizoi këndimi në gjuhën shqipe

përfaqësuesja e Australisë Kate Miller-Heidke krijoi një botë imagjinare duke u lëkundur sa në një anë të skenës dhe sa në tjetrën.

Jonidën nuk e penalizoi këndimi në gjuhën shqipe

Po kështu këngëtari nga Russia Sergey Lazarev luajti me efektet dhe pasqyrat për të krijuar iluzione optike.

Jonidën nuk e penalizoi këndimi në gjuhën shqipe

Të tri shtetet ishin në vendet e para para votimit të publikut dhe sërish përfunduan në Top10 (Australia në vendin e nëntë, Azerbajxhani në të shtatin, ndërsa Rusia në vendin e tretë).

Dhe sigurisht që në fund faktori më i rëndësishëm: politika. Tradita vazhdoi sërish dhe shtetet favorizuan shtetet fqinje. Jo më kot salla reagoi me një “uuu” të zgjatur fill sapo Qipro i dha Greqisë pikët maksimale. Vetë Shqipëria në gjithë historinë e Eurovisionit i ka dhënë më shumë pikë në gjysmëfinale dhe finale Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe Italisë (vende fqinje). Po kështu ka marrë më shumë pikë nga Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Zvicra.

Votimet që favorizojnë shtetet fqinje në të njëjtën kohë penalizojnë këngët, që në mos fitoren, meritojnë një renditje më dinjitoze. Megjithatë nëse përfaqësimi nuk është i kopsitur nga ana skenike dhe tematike, vështirë që vokali i këngëtarit/es të jetë pika jonë e fortë.