Ditën e sotme, policia e Elbasanit mundi të shpëtonte një vajzë rreth të 20- ave pasi kjo e fundit u mor me forcë në makinë nga ish i fejuari. Në një moment kur makina ngadalësoi shpejtësinë në trafik, qe gazetari i Report Tv në Elbasan, Aldo Kozarja ai që dalloi vajzën teksa hapi derën e makinës dhe kërkoi ndihmë. Menjëherë Kozarja njoftoi policinë.
“Ndodhesha në rrugën pranë Drejtorisë së Policisë së Elbasanit kur po kalonte një makinë tip BMW dhe një vajzë hapi derën duke kërkuar ndihmë. Në momentin që vajza hapi derën, shpejtësia e makinës u ngadalësua nga shoferi, ndërsa më pas dera u mbyll, ndërsa automjeti rriti shpejtësia duke u larguar. Në këtë moment njoftova menjëherë drejtorin e Policisë së Elbasanit Altin Qato, ndërsa vetëm pak minuta më pas makina u ndalua te Universiteti Aleksandër Xhuvani.” deklaroi gazetari.
I riu që mori me forcë në makinë ish-të fejuarën, pasi ishin ndarë, u ndalua së bashku me tre persona të tjerë që e shoqëronin, ndërkohë që vajza është dërguar në spitalin e Elbasanit për trajtim, pas traumës që pësoi nga rrëmbimi me dhunë.
Gazetari i Report Tv raporton se vajza nga Katundi i Ri në Elbasan kishte shenja dhune në fytyrë, që dyshohet se i janë shkaktuar nga ish i fejuari i saj.