TV Mania

Tre emisionet e reja shqiptare që fituan zemrën e publikut

22 Tetor 2018

Tre emisionet e reja shqiptare që fituan zemrën e publikut
"B.E. Coffee"

Shqiptarët janë më të etur se kudo për emisione dhe si rrjedhim i kërkesës së lartë, televizionet në vend përpiqen të ofrojnë kontent gjithnjë e më të mirë. Këtë sezon televiziv nisën transmetimin për herë të parë me dhjetëra formula të reja a të përmirësuara. Natyrshëm, jo të gjitha u kthyen në një pjesë integrale të ditës së shikuesit.

Pak ditë më parë, këtu në Anabel.al, publikuam një listë me emisionet e reja të këtij sezoni dhe lexuesit tanë votuan ç’ndiqnin. Në krye gjendet “Shiko kush luan”, i cili u përfshi në listë ngaqë këtë vit gjendet nën autorësinë e vetme të Luana Vjollcës, bashkëmoderuar nga dy personazhe të rinj: Adi Pojana dhe Florian Binaj. Përtej komenteve në YouTube që shprehin kritika dhe mospëlqim nga sezonit të ri, “Shiko kush luan” ka ndërtuar një audiencë besnike.

“Duplex”, nga ana tjetër, përveç ekranit në të cilin transmetohet, s’ka ndonjë ndryshim domethënës nga formula e “Apartamentit 2XL”. “Duplex” ndodhet në vendin e tretë në sondazhin tonë dhe po ashtu ka një audiencë bazë që e ndjek.

Tre emisionet e reja shqiptare që fituan zemrën e publikut
"B.E. Coffee"

Një emision ose formulë mirëfilli e re, “B.E. Coffee” me Besart Kallakun, Erion Isain dhe Olsi Bylykun, ndodhet në vendin e dytë në sondazhin e ngarkuar mbi 6,500 herë. Moderatorët e “B.E. Coffee” janë dhe vetë yjet e tij, arsyeja pse publiku qëndron një orë më shumë në të “Dielën Shqiptare”. Kush nuk e gjen veten te një personazh, e gjen te tjetri. Dhe nëse asnjë nga moderatorët s’i bën për vete, intervista dhe skeçi mundet.

Tre emisionet e reja shqiptare që fituan zemrën e publikut
"Dilema"

Eno Popi la “Wake Up” pas një dekade dhe mori frerët e një emisioni me bazë paratë, specialiteti i tij. “Dilema” ose si njihet ndryshe “Deal Or No Deal”, transmetohet çdo ditë në Top Channel  në 18:00 dhe si zakonisht, shikuesit janë gjithnjë kuriozë kur vjen puna te paratë dhe lojërat me bazë paratë.

Tre emisionet e reja shqiptare që fituan zemrën e publikut
Ftesë në pesë"

Së treti, “Ftesë në pesë”, ajo që dikur njihej si “Pasdite në Top Channel” ka një moderatore, autore dhe studio të re. Bieta Sulo po përpiqet shumë që ta kthejë emisionin e pasdites në një konkurrent të fortë për Rudina Magjistarin në Tv Klan. Entuziasmi dhe përpjekjet e dukshme po bëjnë sadopak efekt.

Mbetet për t’u parë popullariteti i “Hell’s Kitchen” që nisi transmetimin të premten e shkuar. Në pak ditë ka hasur kritika të shumta, qoftë nga njerëz në brendi të industrisë apo njerëz të thjeshtë që mendojnë se “njerëzit nuk kanë bukë të hanë” dhe shpërdorimi i ushqimit s'është lëvizje e zgjuar. Gjithashtu, në çastin e publikimit të sondazhit, “Vip Club” ishte në fillimet e tij dhe s’pati kohë të fitonte zemrën e publikut.