Kohët e fundit, një skemë mashtruese botërore ka përfshirë edhe Shqipërinë. Operatorët e telefonisë celulare thonë se është kthyer në shqetësim, pasi njerëzit nuk janë të informuar dhe bien pre thjesht duke telefonuar mbrapsh një thirrje të humbur nga një numër i huaj.
Si funksionon skema:
Dikujt i bie celulari. Ose më saktë, tringëllon një zile që fare mirë mund të ngatërrohet për telefonatë. Në ekran shfaqet një numër i huaj, me shumë mundësi me prefiks +375, +371, +370, përkatësisht Bjellorusia, Lituania dhe Letonia. Personi sheh thirrjen e humbur dhe telefonon mbrapsh numrin e huaj. Pa asnjë zile paralajmëruese, telefonata nis dhe zgjat 15 sekonda, e cila konsiston vetëm në përgjigjen e sekretarisë që thotë diçka në rusisht. Në këtë moment, qytetari përfundon telefonatën sepse kupton që diçka nuk shkon. Ndërkohë, është faturuar 105 lekë ekstra jashtë paketës.
Në vazhdim, telefonata të tilla vijojnë duke ruajtur prefiksin, por duke ndryshuar numrin. Në momentin që viktima nuk telefonon më mbrapsh sepse kupton skemën, telefonuesit kalojnë te dikush tjetër.
Skema fiton para kur qytetarët i telefonojnë mbrapsh numrit të huaj. Tarifën e paguan kompania celulare me të cilën qytetari ka kontratë dhe këto para i shtohen faturës së plotë mujore që paguan qytetari.
Monitor raporton se në Shqipëri janë shtuar rastet e skemës mashtruese që njihet si “Skema e një zileje”. Operatorët e telefonisë celulare vendase kanë preferuar që ta mbajnë vetë koston ekstra që ka ardhur si pasojë e kësaj skeme e kanë këshilluar klientët të mos kthejnë më telefonata ndaj numrave të huaj që nuk i njohin.