E ftuar në emisionin “Xing me Ermalin”, Rezarta Shkurta foli për herë të parë publikisht rreth arrestimit të bujshëm të bashkëshortit të saj Ermalit, nipit të diktatorit Enver Hoxha. ‘Beson se Ermali është i pafajshëm’ ishte pyetja e Mamaqit, të cilës Rezarta iu përgjigj, duke theksuar se kjo ‘nuk është ajo që ajo beson, por e vërteta’.
“Meqë vendosa të vij këtu ,nuk do bëj sikur është surprizë kjo pyetje. Unë them ato që janë dhe ti ke drejtën të besosh apo jo. Ajo çfarë është, ose si nisi, nisi poshtër, po them, ose nisi jo korrekte që nga organet kompetente ku deklaruan se Ermal Hoxha kapet në Xibrakë me 300 mijë euro në makinë kur që këtu nis gënjeshtra se Ermali jo vetëm që nuk kishte këto paratë që janë para fantazëm, por ishim bashkë në Durrës. U thanë edhe shumë gjëra të tjera qesharake, u bë e madhe jeta luksoze, sigurisht, jeta luksoze e tyre se këtë jetë luksoze që ne e kishim bërë, unë s’e kisha parë. U bëra pronare e një Ferrari që është marrë borxh nga shpia filmike “Pro Video” për të realizuar një film. Ermal Hoxha u penalizua sepse ishte nipi i Enver Hoxhës, u mediatizua aq shumë kjo histori sa duhej futur brenda dhe policia nuk mund të dekonspironin paaftësinë e tyre. Dhe sot kanë kaluar 2 vjet dhe ai vazhdon të qëndrojë brenda,” ka përfunduar Rezarta duke e quajtur një padrejtësi gjithçka që ka ndodhur me bashkëshortin e saj.
Sipas rrëfimeve të saj në emision, arrestimi i Hoxhës u shoqërua dhe me disa situata të çuditshme. “Kam pasur shumë mbështetje nga miqtë e vërtetë dhe primare familja, por ka patur edhe njerëz që u trembën. Për shembull pronari i ambientit që kisha marrë me qera për studion e fotografive pas një dite më dyfishon qeranë dhe më sjell një faturë dritash stratosferike. Pastaj mbas dy ditësh më vjen ekonomistja dhe më thotë ‘S’e ndjekim dot biznesin tënd’. Një ditë isha me nënën dhe i bie telefoni, një numër që nuk e njihnim. Ishte një e afërme e familjes dhe i thotë ‘Zemër të mora se bleva këtë numrin kastile dhe nuk të mora nga numri i vjetër se ju përgjoheni’. Ndërkohë e afërmja është në pension dhe e mori ta pyeste si bëhet byreku me qumësht”.
Këngëtarja zbuloi në emision dhe tatuazhin që mban në këmbën e djathtë dedikuar të shoqit, ku shkruhet: “Ermal gjithmonë në një hap me ty”, ndërsa ndau me publikun një tjetër kuriozitet, sipas të cilit Ermal Hoxha është ‘Ermali i parë që ka Shqipëria, pastaj kanë ardhur të tjerët’.