Doktor Fantozzi, ju vini nga një prej shkollave më të mira të kirurgjisë plastike në botë në Rio De Janeiro. Duke marrë parasysh zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të vendeve të tjera më të fuqishme se Brazili, si Shtetet e Bashkuara apo Italia, përse kjo shkollë është kaq e mirë dhe kaq e famshme?
Sepse është e para shkollë e kirurgjisë plastike e krijuar në botë 50 vjet më parë dhe doktori që e ka krijuar, profesor Ivo Pitanguy, është një prej njerëzve më të rëndësishëm në këtë fushë. Të pranohesh aty është po aq e vështirë sa të pranohesh në shkollën mjekësore të Harvardit apo të Oksfordit. Unë jam me fat, sepse në kohën kur aplikova, fitova një nga 4 vendet e hapura për të huajt dhe jam një nga 20 italianë që kanë arritur të jenë pjesë e shkollës. Në radhë të parë, që të mësosh dhe të bashkëpunosh me Prof. Ivo Pitanguy-n, duhet të jesh mjek dhe të kesh punuar me sukses prej vitesh në profesionin tënd. Unë, në Itali, isha specializuar në kirurgjinë rikonstruktive pas aksidenteve. Por CV-ja ishte vetëm një pjesë, pasi për t’u pranuar, duhet t’i nënshtroheshe edhe disa testeve të tjera, duke përfshirë edhe testin në dy gjuhë: portugalisht dhe anglisht.
Dëgjojmë shpesh për famën e kirurgjisë plastike në Brazil. Përse kaq popullore kjo fushë aty?
Brazili është një vend shumë i madh, me një popullsi rreth 200 milionë banorë. Është vend që së fundmi ka njohur një rritje të lartë ekonomike, por gjithashtu ka ende varfëri. Pamundësia ekonomike i detyronte vajzat dhe gratë që të mos bënin kontrollet normale të shtatzënisë, kështu që numri i fëmijëve të lindur me anomali kongjenitale, sidomos maxillo-faciale, ishte dhe është akoma i lartë. Operacionet plastike në Brazil u zhvilluan si domosdoshmëri për ristrukturimin e këtyre defekteve të lindjes. Një tjetër arsye për ndjeshmërinë e madhe të brazilianëve ndaj operacioneve plastike ka të bëjnë edhe me klimën dhe stilin e jetës. Në Rio De Janeiro, temperatura më e ulët në dimër shënon 25 gradë celsius. Imagjinoni në një mot aq të ngrohtë, me plazhin afër, dëshira për t’u dukur sa më bukur dhe për të pasur një pamje perfekte është shumë e madhe, ndaj këtu kërkesat për kirurgji plastike kozmetike janë të mëdha.
Ju punoni më shumë në kirurgjinë rikonstruktive apo në atë kozmetike?
Në Brazil 70 % e punës sime përqendrohet në kirurgjinë rikonstruktive, që është niveli më i lartë i punës sonë, ndërsa në Itali kam më shumë kërkesa për kirurgji kozmetike.
Janë më shumë femra apo meshkuj pacientët tuaj?
Tashmë kam po aq paciente femra sa kam edhe meshkuj, por meshkujt janë pacientë më të vështirë. Ata janë pak si bebet (qesh), më të pasigurt, më të frikësuar. Kurse femrat janë më të forta si paciente, më të vendosura. Por, pas operacionit, nëse një pacient mashkull është i kënaqur me ty, ai bëhet klienti më besnik, kurse pacientet femra shpesh kanë tendenca të ndërrojnë mjekë e të eksperimentojnë.
Cilat janë ndërhyrjet më të kërkuara?
Varet nga sezoni, sepse përpara fillimit të verës, shtohen kërkesat për ndërhyrje në gjoks dhe liposuction. Kjo e fundit është më e kërkuara.
Ka paragjykime në Itali për sa i përket operacioneve plastike kozmetike?
Përpara 10 vjetësh situata ka qenë ndryshe. Njerëzit nuk ishin aq shumë të informuar dhe kishin frikë e paragjykime ndaj këtyre ndërhyrjeve, ndërsa tani, jo vetëm që nuk e kanë problem, por shpesh organizojnë edhe party pas operacioneve, si lifting party për shembull.
Që do të thotë se nuk e mbajnë të fshehtë?
Ka njerëz që preferojnë t’i fshehin ndërhyrjet, si p.sh. shumë njerëz të famshëm, por ka shumë të tjerë që nuk e kanë kompleks ta tregojnë. Për mua është e rëndësishme që pacientët që vendosin të bëjnë ndërhyrje, të vënë në dijeni njerëzit e tyre më të afërt. Është e rëndësishme që familjarët apo partnerët t’i kenë pranë gjatë ndërhyrjes.
Ka njerëz që vijnë me fotografi të dikujt të famshëm dhe thonë, p.sh., dua buzët e Angelina Jolie-së?
Çdo njeri ka veçoritë e tij dhe, nëse do të dukesh si dikush tjetër, atëherë ke probleme psikologjike dhe më mirë se të vish tek kirurgu plastik, këto probleme duhet t’i zgjidhësh me një psikolog apo psikiatër. Unë nuk marr përsipër të bëj shndërrime të tilla, të cilat nuk janë në përputhje me fizionominë e personit.
Kemi dëgjuar të thonë se puna më e vështirë e një operacioni plastik është ajo që ndodh në takimin e parë, pra vlerësimi psikologjik?
Përpara çdo ndërhyrjeje, mjekët duhet të bëjnë një vlerësim të gjendjes psikologjike të pacientit, edhe pse është e vështirë. Në Brazil, p.sh., njerëzit nuk e kanë problem këtë fazë, por në Itali stepen nëse unë kërkoj të kuptoj më shumë për gjendjen e tyre emocionale dhe psikologjike. Me çdo pacient duhet të jesh shumë i butë dhe i kujdesshëm.
Ka raste kur ke refuzuar të bësh ndërhyrje?
Një kirurg i famshëm në Kaliforni, Reese, njëherë ka thënë: “Unë jam i famshëm jo për operacionet që kam bërë, por për ato që nuk kam pranuar të bëj”. Unë kam refuzuar shumë operacione. Për mua rëndësi ka suksesi në fund të operacionit, ndaj nuk marr përsipër gjëra që nuk mund të jenë të realizueshme apo të bëj ndërhyrje aty ku nuk ka nevojë. Kam pasur pacientë që kishin një hundë perfekte e donin ta ndryshonin dhe unë u kam thënë: “Jo, më vjen keq, por ti ke një hundë të bukur dhe në proporcion me fytyrën”.
Çfarë e bën një kirurg plastik të mirë?
Kirurgu plastik duhet ta njohë mirë arkitekturën e trupit. Bukuria është tek simetria dhe, përpara se të bëj një ndërhyrje plastike, duhet të sigurohet që ajo ndërhyrje të jetë në simetri me trupin. Nuk mund ta futësh pacientin në sallë e të thuash aty për aty: “OK, po ia ngre pak gjoksin deri në këtë pikë”. Çdo gjë duhet studiuar paraprakisht.
Në Shqipëri kemi parë shpesh shumë buzë të fryra, të cilat nuk duken natyrale, janë lehtësisht të dallueshme dhe shpesh të ekzagjeruara…
Është e vërtetë që ka raste që, nëpërmjet injektimeve, buza e humb atë kthesën natyrale (në formë v-je) që ka në pjesën e sipërme dhe kjo nuk është normale nëse do ta studionim në raport me arkitekturën e trupit. Ajo kthesë duhet të ruhet dhe jo të eliminohet, pasi i shkon përshtat pjesës pak të futur poshtë hundës. Operacionet plastike duhet të korrigjojnë në përshtatje me ligjet e natyrës dhe me arkitekturën e trupit. Ndërhyrjet nga një mjek joprofesionist mund të shkaktojnë dëme të tilla.
Le të flasim pak për ardhjen tuaj në Tiranë. Përse vendosët që të provonit edhe Shqipërinë, duke ditur suksesin dhe punën e madhe që keni në Brazil dhe Itali?
Unë jam takuar me Dr. Eliona Demalia në Romë në ambiente të njëjta akademike dhe mjekësore. Duke besuar në aftësitë dhe profesionalizmin e saj si mjeke, u ndjeva i sigurt në atë që mund të arrinim së bashku në Shqipëri.
Çfarë ndërhyrjesh do të kryeni në Tiranë dhe sa e shpeshtë do të jetë vizita juaj këtu, duke marrë parasysh se ju aktualisht ushtroni praktikën tuaj edhe në Itali e në Brazil?
Unë do të jem në Tiranë çdo muaj për pak ditë. Fillimisht do të kryej vizita, konsulta dhe ndërhyrje ambulatore në “Matrix Medical and Research Center”, që drejtohet nga Dr. Eliona Demalia. Më vonë do të shqyrtojmë edhe mundësitë e tjera.
---
“Për mua rëndësi ka suksesi në fund të operacionit, ndaj nuk marr përsipër gjëra që nuk mund të jenë të realizueshme apo të bëj ndërhyrje aty ku nuk ka nevojë. Kam pasur pacientë që kishin një hundë perfekte e donin ta ndryshonin dhe unë kam thënë: ‘Jo, më vjen keq, por ti ke një hundë të bukur dhe në proporcion me fytyrën’”
---
Për më tepër rreth doktorit dhe ditëve kur do të jetë në Tiranë, kontaktoni klinikën “Matrix”. Nëse doni të merrni më shumë informacione rreth Dr. Fantozzi-t, vizitoni faqen e tij të internetit http://www.fabiofantozzi.com/.
