
Një terapist i licencuar, Jeffrey Meltzer, ka një teori interesante: mënyra se si nget makinën mund të tregojë shumë më tepër për ty sesa mendon. Sipas tij, gjithçka, që nga mënyra si futesh në korsinë tjetër e deri te sa fort shtyp gazin, lidhet me durimin tënd, kontrollin e zemërimit, dëshirën për rrezik dhe madje edhe empatinë.
Ngarja e makinës është më shumë se thjesht të shkosh nga pika A në pikën B
Meltzer thotë që ngarja e makinës është në fakt një "situatë sociale". Por, edhe kur je vetëm në makinë, je në ndërveprim me të tjerët në trafik. Dhe në këtë "komunikim pa fjalë", dalin në pah karakteristikat kryesore të personalitetit tënd: sa i/e duruar je, sa shpejt e humb kontrollin, a je impulsiv/e apo jo, dhe mbi të gjitha, sa mendon për të tjerët.
Ç’thotë stili yt i ngarjes së makinës për ty?
Ndërrimi i shpeshtë i korsive = Impulsivitet (dhe ndoshta pak egoizëm)
Nëse e kap veten duke bërë "zig-zag" mes makinave vetëm për të qenë një makinë përpara... nuk je vetëm. Por, sipas terapistit, kjo sjellje tregon impulsivitet dhe një lloj egocentrizmi. Ironikisht, të njëjtët persona që e bëjnë këtë, nuk e durojnë kur ua bën dikush tjetër!
Si futesh në rrugë = Sa ndihesh i/e rëndësishme në këtë botë (ose sa e vështirë e ke të thuash ‘jo’)
Kur dikush nuk lejon askënd të futet para tij në rrugë, kjo mund të tregojë ndjesi të larta superioriteti ose egoizëm. Nga ana tjetër, nëse gjithmonë lëshon rrugën të tjerëve edhe kur është radha jote, ndoshta je një njeri që e ka të vështirë të vendosë kufij.
Si sillesh në trafik = Durimi yt ndaj jetës
Nëse në trafik nis e këndon apo dëgjon podcast-e, ndërkohë që të tjerët shfryjnë e godasin timonin, urime, ke aftësi të larta menaxhimi të stresit. Sipas Meltzer:
“Mënyra si reagon në trafik tregon nëse je në gjendje të presësh me qetësi apo shpërthen që në sekondën e parë që diçka nuk shkon sipas planit”.
Zemërimi në timon = Ç’po përtyp emocionalisht (dhe s’po e nxjerr siç duhet)
Edhe pse Meltzer nuk e përmend në mënyrë të detajuar, "zemërimi në timon" është një fushë më vete. Meshkujt e rinj janë zakonisht më të prirur ndaj shpërthimeve në trafik. Por, në thelb, shpërthimet zakonisht vijnë nga emocione të pashprehura si zhgënjimi, stresi ose ndjenja të tjera që s’kanë gjetur derë tjetër për të dalë, përveç dritares së makinës.
Pra, makina është një lloj pasqyre për karakterin tënd. Si sillesh në trafik shpesh është një version "i filtruar" i asaj që je në jetën reale. Dëshiron të bëhesh më i/e duruar, më i/e dhembshur, më pak impulsiv/e? Ndoshta s’ke nevojë për terapi, fillo duke lejuar dikë të hyjë para teje në semafor.