
Lindsay Lohan ka folur hapur dhe me sinqeritet për një ngjarje që ka shënjuar jetën e saj dhe po ndikon edhe në mënyrën se si po rrit djalin e saj 2 vjeç. Në një intervistë për The Sunday Times, të publikuar të shtunën, më 2 gusht, aktorja foli për përvojat e saj si adoleshente në qendër të vëmendjes, në një kohë kur paparacët kishin qasje të pakufizuar dhe tabloidët ndiqnin çdo hap të saj.
“Nuk dua kurrë që familja ime të përjetojë ndjekjen nga paparacët siç e përjetova unë. Ato ishin momente tmerruese në jetën time, kam PTSD të thellë (Çrregullimi i Stresit Post-Traumatik - është një gjendje mendore që ndodh pas përjetimit ose dëshmimit të një ngjarjeje jashtëzakonisht traumatike) nga ato situata. Ishin situata jashtëzakonisht të frikshme dhe lutem që gjëra të tilla të mos kthehen më. Nuk janë të sigurta. Nuk janë të drejta”, tha aktorja 39-vjeçare.
Ajo shtoi se ajo dhe bashkëshorti i saj, Bader Shammas, diskutojnë vazhdimisht si të mbrojnë privatësinë e Luai-t, djalit të tyre, si dhe sa qasje duan që mediat të kenë ndaj tij.
Ata u lidhën për herë të parë në vitin 2020, u martuan në korrik 2022. Dyshja mirëpritën djalin e tyre një vit më vonë, në korrik 2023.
Aktorja e “Freaky Friday” tha se mendon që epoka e rrjeteve sociale ka ndihmuar të famshmit e rinj të rimarrin kontrollin mbi narrativën e jetës së tyre, duke u dhënë mundësinë të ndajnë vetë çfarë duan me fansat.
“Mendoj se tani [ndërhyrja e paparacëve në jetën private] nuk ndodh aq shpesh sa ndodhte më parë. Ishte shumë më keq kur isha më e re, por tani, falë rrjeteve sociale, njerëzit mund ta tregojnë historinë e tyre në mënyrën që duan vetë. Është rikthyer ‘pronësia’ mbi jetën tënde”.
“Ne nuk e kishim atë luks”, shtoi ajo, përpara se të theksonte: “Por ajo që kam mësuar me kalimin e kohës është si të ndash jetën private nga ajo publike dhe kjo ishte e vështirë për mua sepse askush nuk të mëson si ta bësh”.
Po kur vjen puna te fansat që e afrohen në publik? Ylli i “Mean Girls” tha se do të preferonte që një fans të kërkonte një foto në vend që të përpiqej ta filmonte fshehurazi me telefon.
“Kjo është e frikshme. Ndihem shumë në siklet”, shpjegoi ajo. “Do preferoja që dikush thjesht të më pyeste për një foto, ndryshe bëhesh i kujdesshëm për çdo lëvizje që bën.”
Lindsay Lohan do të luajë në komedinë familjare “Freakier Friday”, vazhdimin e filmit të famshëm “Freaky Friday” të vitit 2003, krah Jamie Lee Curtis. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga filmi i parë, Lindsay tha për se ajo dhe Jamie Lee Curtis, 66 vjeç, kanë qëndruar “thuajse vazhdimisht në kontakt” gjatë këtyre viteve.
“Gjatë gjithë këtyre viteve, për shkak se jeta ime ishte kaq publike, ajo ishte një hapësirë e sigurt për mua”, tha aktorja dhe sipas saj, ishte Jamie Lee ajo që e bindi të rikthehej për vazhdimin e filmit.
“Freakier Friday” do të shfaqet në kinema më 8 gusht.