
Lindsay Lohan është në kulmin e lumturisë në Dubai dhe ka treguar arsyen pse.
Aktorja e njohur, 39 vjeçe, rrëfeu në emisionin “Live with Kelly and Mark” se arsyeja kryesore pse i pëlqen jeta në këtë qytet është sepse aty gëzon një lloj privatësie që të famshmit nuk e kanë në vende të tjera, sidomos në Hollywood.
“Është shumë larg Hollywood-it dhe unë jetoj një jetë shumë normale,” tha Lohan. “Nuk kam frikë se dikush do të më fotografojë fëmijën në një restorant apo kudo tjetër. Ndihem shumë e sigurt.”
“Pra, nuk ka fotografë atje?”, pyeti intervistuesja Kelly Ripa.
“Jo, nuk është e ligjshme. Nuk mund të bësh foto dikujt në një restorant pa lejen e tyre. Duhet t’u kërkosh leje, që është shumë ndryshe nga këtu,” u përgjigj aktorja.
“Është fantastike!” u habit Ripa. “Po, privatësia është shumë e rëndësishme,” pranoi Lohan.
Lohan u transferua në Dubai në vitin 2014, ku edhe takoi bashkëshortin e saj Badar Shammas. Ata nisën lidhjen në shkurt 2020 dhe u martuan në vitin 2022. Pak më vonë, sollën në jetë djalin e tyre të parë, Luai, tani 2 vjeç.
Aktorja e njohur për filmin “Parent Trap” ka ruajtur jetën e saj private larg syrit të mediave dhe më parë ka treguar për Elle ndryshimet mes kohës që kalon me djalin në Los Angeles, New York dhe Dubai.
“Në L.A. është shumë e vështirë. Edhe kur shkoj me djalin në park, stresohem. Pyes veten ‘A ka kamera?’ Në New York nuk e kemi këtë problem, askush nuk na shqetëson. Të gjithë janë të zënë me punët e tyre atje,” tha ajo.
Lohan më herët ka folur edhe për rutinën e saj të përditshme në Dubai për revistën Flaunt. Ajo tha se zakonisht zgjohet me djalin dhe më pas bën pilates ose shkon në park.
“Bëj gjërat që bën çdo nënë normale në jetën e përditshme,” tha ajo.
Burimi: People