
Ylli i ri i skuadrës së futbollit të Barcelonës, Lamine Yamal, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Spanjës pas një denoncimi për organizimin e një feste ditëlindjeje ku pretendohet se janë punësuar persona me nanizëm si pjesë e argëtimit.
Hetimi ka nisur pas kërkesës së Ministrisë së të Drejtave Sociale të Spanjës, ndërsa një kallëzim zyrtar është paraqitur nga Shoqata e Personave me Akondroplazi dhe Displasi Skeletore (ADEE). Festa në fjalë u mbajt të dielën e kaluar në qytetin Olivella, rreth 50 kilometra larg Barcelonës, me rastin e 18-vjetorit të Yamal.
Sipas BBC, ADEE e quajti aktin si “të papranueshëm në shekullin XXI” dhe deklaroi se ky veprim “ushqen stereotipe, nxit diskriminimin dhe dëmton imazhin dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”. Shoqata ka kërkuar që të hetohet nëse janë shkelur ligjet në fuqi ose të drejtat e personave me aftësi ndryshe.
Në një deklaratë publike, ata theksojnë:
"Dënojmë publikisht punësimin e personave me nanizëm si formë argëtimi në evente private. Kjo praktikë është poshtëruese dhe diskriminuese."
Megjithatë, një person që pretendon se ishte mes atyre të punësuar për të performuar në festë, ka folur për radion spanjolle RAC1, duke e mbrojtur Yamal dhe ngjarjen.
“Askush nuk na ka trajtuar pa respekt. Ne punuam në qetësi dhe me dinjitet. Nuk e kuptoj pse po bëhet kaq shumë zhurmë. Jemi njerëz normalë, që bëjmë punën tonë ligjërisht. Pse nuk mund të punojmë? Për shkak të trupit tonë?”
Sipas tij, pas performancës, ata janë bashkuar me pjesëmarrësit e tjerë të festës, si të barabartë.
“Ne e dimë kufirin tonë. Nuk jemi ‘monstra cirku’,” përfundoi ai.
Deri më tani, as Lamine Yamal dhe as klubi FC Barcelona nuk kanë dalë ende me një deklaratë publike për rastin.
Burimi: Independent