
Beyoncé ka rënë pre e një vjedhjeje, pasi pak ditë para ndalesës katërditëshe të turneut "Cowboy Carter", automjeti i stafit të saj është grabitur. Ngjarja ka ndodhur në Atlanta, por situata përkeqësohet nga fakti se asaj i janë vjedhur disa materiale muzikore të papublikuara.
Autoritetet konfirmojnë se disa USB që përmbanin këngë të papublikuara, planet e shfaqjeve dhe listat me këngë për koncertet e kaluara dhe ato të ardhshme u morën nga një makinë me qira, e cila përdorej nga koreografisti i këngëtares dhe një prej balerinëve të saj.
Vjedhja ndodhi më 8 korrik, vetëm dy ditë përpara performancës së parë të Beyoncé në Atlanta. Policia e Atlanta-s thotë se është lëshuar një urdhër arrest, por emri i dyshuarit nuk është bërë publik.
Sipas raportit të policisë, koreografisti Christopher Grant dhe balerini Diandre Blue parkuan automjetin dhe hynë në një qendër ushqimore. Pasi u kthyen, panë dritaren e pasme të thyer dhe dy çanta u mungonin.
Ata raportuan se në çanta ndodheshin pesë drive USB me këngë të papublikuara, planet e skenarëve për shfaqje të kaluara dhe të ardhshme, dhe lista të tjera këngësh, sipas policisë.
Më tej, u mor edhe një laptop, rroba dhe kufje Apple AirPods. Autoritetet përdorën mjetet e gjurmimit (indet e laptopit dhe kufjeve) për të ndjekur lëvizjet e objekteve dhe për të arritur në gjurmët e grabitësit.
Nuk dihet nëse sendet e vjedhura i janë rikthyer këngëtares.