Drama mes Blake Lively-t dhe Justin Baldoni-t po bëhet gjithnjë e më serioze, por këtë herë, aktorja e “Gossip Girl” ka marrë një pikë të rëndësishme përpara se të japë dëshminë e saj.
Një gjykatës vendosi që Lively mund të dëshmojë në zyrën e avokatit të saj dhe jo në "territorin" e Baldoni-t, siç kërkonte pala kundërshtare. Vendimi vjen pasi ekipi ligjor i aktores ngriti shqetësime për mundësinë e një “kurthi mediatik” dhe përqendrim të panevojshëm vëmendjeje në adresën e avokatëve të Baldoni-t.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Page Six, ekipi i Baldoni-t duhet gjithashtu të dorëzojë një listë me emrat e atyre që do marrin pjesë në marrjen në pyetje, brenda afatit deri të martën në mesditë.
Kujtojmë që Blake ka ngritur një padi për ngacmim seksual dhe hakmarrje profesionale ndaj Baldoni-t, me të cilin punoi në xhirimet e filmit "It Ends With Us". Ajo pretendon se regjisori dhe bashkëproducenti i filmit ka tentuar të njollosë reputacionin e saj pasi ajo ngriti shqetësime për sjelljen e tij në sheshxhirim.
Pala e Baldoni-t, nga ana tjetër, ka hedhur poshtë akuzat, madje në janar ngriti një padi për shpifje dhe tentativë shantazhi, që përfshinte jo vetëm Blake-un, por edhe bashkëshortin e saj, Ryan Reynolds. Kjo padi u rrëzua nga gjykata në qershor.
Por gjërat s’ndalen me kaq.
Avokati i Baldoni-t, Bryan Freedman, deklaroi se Blake po përdor “statusin e saj të famës” për të manipuluar procesin dhe madje e akuzoi ekipin e saj ligjor për sjellje “të papërshtatshme ligjërisht”. “Fakti që ajo ka arritur të kontrollojë filmin nuk i jep të drejtë ta bëjë të njëjtën gjë me gjykatën,” thuhet në padinë e tyre.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Lively-t nuk qëndruan pa reaguar. Në një deklaratë për People, ata e quajtën të gjithë këtë “një spektakël publik të turpshëm” të drejtuar nga avokati i Baldoni-t. Ata gjithashtu ritheksuan se bëhet fjalë për “një çështje serioze ngacmimi dhe hakmarrjeje” që meriton të trajtohet me serioz dhe jo si shfaqje.
Dëshmia e Lively-t do të zhvillohet të enjten dhe pritet të jetë vendimtare në procesin që tashmë ka marrë përmasa publike, aq sa fansat po ndjekin çdo detaj me intensitet sikur të jenë duke parë një sezon të ri të “Gossip Girl”.
Burimet: Page Six, TMZ