
Një këshillë klasike që marrim nga miqtë kur ankohemi për punën është: "Largohu! Shëndeti yt mendor është më i rëndësishëm!"
Në teori, është një këshillë ideale. Por në realitet? Ndoshta ajo punë që të streson është edhe ajo që paguan qiranë, faturat dhe verën që pi me të njëjtët miq që të thonë “largohu”. Dhe, për të qenë të sinqertë, ndonjëherë thjesht nuk ka alternativa të tjera të menjëhershme.
Sipas një artikulli të botuar së fundmi në revistën Self, ndjenja të tilla si lodhja, pakënaqësia apo edhe neveria nga puna janë më të zakonshme nga sa mendojmë. Por nëse këto ndjenja bëhen të përhershme, atëherë nuk janë më thjesht “lodhje kalimtare”, janë shenja që diçka duhet të ndryshojë në mënyrë më serioze.
Megjithatë, nëse pakënaqësia është ende e menaxhueshme, ekspertja e shëndetit mendor Kerri Smith-Osei sugjeron disa mënyra më të lehta për të mbrojtur mirëqënien tonë, pa rrezikuar stabilitetin financiar.
1. Vendos kufij më të qartë
Është e lehtë të biesh në kurthin e të qenit gjithmonë “në dispozicion”. Ndoshta është kthyer në normë që të marrësh përsipër detyrat e një kolegu që mungon, të kthesh mesazhe pune në orën 22:00 apo të qëndrosh në takime edhe shumë pas orarit të mbarimit të turnit. E bëjmë ndoshta nga solidariteti, ose sepse e duam punën tonë.
Por nëse kjo sakrificë po cënon shëndetin tënd mendor (apo edhe fizik), është koha të rivlerësosh kufijtë. Pa qenë i papërgjegjshëm ndaj punës apo kolegëve, që sigurisht nuk do donim t’i lëmë në baltë, vendosja e kufijve është një formë e kujdesit për veten që askush tjetër s’mund ta bëjë për ty.
2. Pusho
Puna më stresuese në botë prapë ka nevojë për pushim. Por a e ke harruar si është të pushosh vërtet? Nëse u përgjigjesh email-eve gjatë drekës ose diskuton për klientët edhe gjatë “pushimeve” me kolegët, atëherë nuk po pushon.
Sipas psikoterapistes Tiffany Young, këto ndërhyrje të vogla të punës edhe në çaste pushimi kanë ndikim të vërtetë negativ në shëndetin mendor. Prandaj, bëj një përpjekje të vogël: dil për një shëtitje, ulu në një kafene dhe fol për gjithçka tjetër përveç punës. Edhe një bisedë e thjeshtë mund të bëjë dallimin.
3. Kujdesu për jetën jashtë punës
Është e lehtë të lidhësh gjithë identitetin tënd me punën. Por kjo e bën çdo problem në punë të ndihet si krizë personale.
Fillimi i një hobi të ri, qoftë joga, apo leximi, nuk është thjesht për argëtim. Është një mënyrë për të ndarë veten nga puna dhe për të ndërtuar një ndjenjë vlerësimi që nuk varet vetëm nga email-et apo performanca mujore.
4. Planifiko aktivitete të ndryshme
Nëse ndihesh vërtet i bllokuar në një vend pune që nuk të bën mirë, nuk do të thotë që zgjidhja është dorëheqja e menjëhershme.
Sipas Dr. Young, një plan me hapa të vegjël është shumë më i dobishëm dhe më pak stresues. Kjo mund të nënkuptojë diçka aq të vogël sa përditësimi i CV-së ose një bisedë me një ish-koleg që punon diku tjetër. Veprime të tilla të vogla krijojnë ndjesinë se po lëviz drejt një zgjidhjeje, çka ndikon menjëherë pozitivisht në shëndetin mendor.
5. Përdor punën që ke si trampolinë, jo si pengesë
Në vend që ta shohësh punën si fundi i rrugës, provo ta riformulosh si një mjet për të ndërtuar të ardhmen.
Smith-Osei sugjeron të pyesësh veten: "Çfarë mund të mësoj ose përmirësoj në këtë vend pune derisa të jem gati të largohem?"
Nëse, për shembull, do të hyje në marketing digjital, fillo të merresh më shumë me rrjetet sociale të kompanisë. Nëse të mungon krijimtaria, sugjero një projekt që përfshin zgjidhje vizuale apo ide të reja.
Qëllimi nuk është ta duash me zor punën që ke, por të mos ndihesh sikur po humb kohën tënde.