
Pas vrasjes së vëllait të saj birësuar, April Balascio filloi të dyshonte te i ati, një njeri karizmatik, por edhe i dhunshëm dhe kontrollues. Ishte viti 2009 dhe, ndërsa burri dhe fëmijët e saj kishin rënë për të fjetur, ajo rrinte zgjuar natën, duke u përpjekur të bashkonte copëzat e një mozaiku tragjik që kishte shënuar fëmijërinë e saj, një seri vdekjesh të çuditshme dhe të pazbardhura.
Gjatë fëmijërisë nuk qëndruan kurrë në të njëjtun vend: ajo dhe babai i saj udhëtonin gjithmonë, herë me kamionë, herë me makinë, madje edhe me autobus shkolle. Ndonjëherë, ai i zgjonte fëmijët në mes të natës, pa dhënë asnjë shpjegim, dhe u kërkonte të paketonin gjithçka sepse duhej të largoheshin menjëherë drejt një vendi të panjohur.
Krimet që e shqetësonin Balascion ishin të lidhura ngushtë me kujtimet e saj të fëmijërisë. Ajo kujtonte sallën e vallëzimit “Concord House”, nga e cila, në vitin 1980, një çift të rinjsh, 19-vjeçarët Kelly Drew dhe Timothy Hack, ishin zhdukur pa gjurmë. Trupat e tyre u gjetën dy muaj më vonë. Babai i saj kishte punuar aty gjatë verës që ndodhi krimi.
Në vitin 2009, pas rihapjes së çështjes falë analizës së ADN-së, April mori një vendim të guximshëm: telefonoi policinë dhe rrëfeu se besonte se babai i saj, Edward Wayne, tashmë 75 vjeç, ishte vrasësi.
Sapo mbylli telefonin, dyshimet nisën ta bënin të ndihej në faj.
“Vura në dyshim mendimet e mia.
Ndihesha një njeri i tmerrshëm”, tha ajo më vonë për The Guardian.
Por ajo kishte pasur të drejtë. Edward u shpall fajtor për vrasjen e atij çifti dhe për tre vrasje të tjera. Disa teori konspirative madje e përshkruajnë si vrasësin serial me më shumë viktima në historinë e SHBA-së.
Si është të rritesh me një vrasës serial?
Në autobiografinë e saj, Rritur nga një vrasës serial, Balascio përshkruan një fëmijëri të çuditshme: nga njëra argëtuese dhe nga ana tjetër e frikshme dhe e errët.
Edwards kishte dy “fytyra”: një baba i dashur që mezi priste të shihte fëmijët duke hapur dhuratat e Krishtlindjeve dhe një përbindësh që mund të zgjohej në çast.
“Doja që lexuesit të ndjenin të njëjtin tmerr që kam përjetuar unë,” thotë ajo. “Të ndienin atë marrëdhënie dashuri-urrejtje që kisha me babanë tim. Ai ishte simpatik. Ai ishte shpirti i festës.”
Balascio beson se kjo është një nga arsyet pse ai shpëtoi për kaq gjatë pa u kapur.
Në pamje të parë, ai dukej si një baba i përkushtuar.
Ajo madje kujton se kur i ati zbuloi se së bashku me fëmijët e tjerë kishte vjedhur ëmbëlsira, i detyroi të shkonin në dyqan, të kërkonin ndjesë dhe të punonin për pronarin që ta shlyenin gabimin. Megjithatë, pas kësaj fasade, fshiheshin krime të tmerrshme.
Fëmijëria e saj ishte shpesh e vështirë, ndonjëherë jetonin në kushte të rrënuara ekonomike, pa ngrohje apo ujë. Brenda katër mureve, Edwards ishte i dhunshëm dhe kontrollues. Sipas saj, ai i ka thyer dy herë nofullën mamasë dhe e ka qëlluar me thikë, vetëm sepse kishte ngrënë patatet e tij të skuqura. Më shumë se një herë, ai kishte djegur shtëpitë para se të largoheshin.
As kafshët shtëpiake nuk shpëtonin: ajo kujton një qen dhe një mace që i ati i kishte varur. Në moshën 18-vjeçare, Balascio u largua nga shtëpia dhe nuk u kthye më. Por vetëm pasi edhe vëllezërit e motrat ishin larguar, ajo nisi të dyshonte se babai i saj mund të kishte vrarë një mik të vëllait të adoptuar, Dannie Boy, një djalë që prindërit e saj e kishin mbajtur afër për një kohë. Trupi i tij u gjet në një gropë të pranë shtëpisë së tyre, dhe menjëherë më pas, Edwards dhe gruaja e tij u zhdukën. Nuk u bë asnjë arrestim në atë kohë.
“E besoja me të vërtetë që babai im e kishte vrarë, por nuk dija si ta provoja” thotë ajo.
Pas telefonatës së saj, testet e ADN-së konfirmuan se vrasësi ishte Edward. Në atë kohë, ai ishte i moshuar, i sëmurë, në karrige me rrota. Pavarësisht kësaj, filloi të rrëfente për vrasje të tjera. U dënua me vdekje, por vdiq në burg nga shkaqe natyrore, përpara se dënimi të ekzekutohej.
“Ndjej sikur më është hequr një barrë e rëndë, që as nuk e dija se e mbaja,” thotë ajo sot.
“Për një kohë e urreja,” pranon ajo. “Por tani e dua. Dhe jam mirënjohëse për atë që më mësoi. Varet nga ajo çfarë dua të kujtoj. E di çfarë ka bërë. Nuk e justifikoj. Por ai ishte babai im.”