
Karantina ishte një sprovë e madhe për të gjithë globin. Në Shqipëri po e kuptojmë efektin e saj vetëm këto ditë, kur të gjithë jemi çliruar nga izolimi dhe numrat e të infektuarve kanë pësuar rritje. Nuk jam eksperte të konkludoj nëse mbyllja duhej bërë apo jo, por di të them që të paktën në Shqipëri, duke u bazuar në statistikat e asaj periudhe dhe nga konkluzioni i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), situata u menaxhua me sukses.
Aq sa ne shfrytëzuam të gjithë kohën e lirë që na erdhi në dorë për t’u ankuar se nuk po ndodhte ndonjë gjë e madhe. Në botën e medias sociale, kur e vërtetë quhet ajo që klikohet më shumë, përballë një virusi me një egërsi krejtësisht të panjohur për të gjithë globin, konspiracionet dhe paranojat zunë vendin kryesor.
Por ky është një lajm i mirë për Shqipërinë. Çdo dyshim se “këtu nuk ka asgjë, është gënjeshtër” tregoi se përpjekja për ta mbajtur virusin nën kontroll rezultoi e suksesshme falë dy heronjve.
I pari është mjeku, ai që u gjend në vijën e parë të frontit të luftës kundër koronavirusit. Sado që i duartrokitëm pasditeve nga ballkonet e shtëpive tona, askush nga ne nuk do arrijë t’i kuptojë plotësisht këta heronj që u karantinuan të pagjumë në mjediset e Infektivit duke pritur e përcjellë qetësisht (në dukje) e me profesionalizëm me dhjetëra pacientë. Nuk e ndjemë ankthin e tyre, nuk dëgjuam e pamë asnjë të pendohej për betimin e Hipokratit. Ata ishin në luftë më shumë se ne, ose thënë saktë, ata luftuan për ne.
Por mjekët nuk do të kishin qetësinë dhe përqëndrimin për të luftuar siç duhet pandeminë, nëse nuk do të ishte për një hero të dytë, Air Albania.

Pa shumë zhurmë, edhe pse në një moment të vështirë biznesi, Air Albania nga një linjë për fluturime komerçiale, u investua tërësisht për një shërbim humanitar. Nuk llogariti krizën që kaploi të gjithë linjat botërore me mbylljen e aeroporteve, nuk hartoi asnjë strategji marketingu dhe as nuk u ul të analizonte kostot e saj në funksion të fitimeve afatgjata. Që në ditën e parë të karantinimit, Air Albania u tregua e gatshme për çdo lloj ndihme, duke mos ndërprerë fluturimet në asnjë moment për të mundësuar spitalet me furnizim të vazhdueshëm me barna dhe pajisje mjekësore, si edhe duke ndihmuar në ri-atdhesimin e të gjithë shqiptarve që kishin mbetur jashtë për shkak të karantinës.

Të gjitha burimet e tyre njerëzore u angazhuan 24 orë në 7 ditë, për të kryer operacione fluturimi “nën errësirë” informacioni ndaj këtij armiku të ri, për një qëllim të lartë humanitar ndaj Shqipërisë.
Spitalet e Shqipërisë nuk ndjenë në asnjë moment krizat që u ndjenë në spitalet e Italisë apo Spanjës; kushdo që donte të kthehej nga vendi ku ishte karantinuar u kthye dhe e gjithë paranoja që na kapi në ditët e para të karantinës se s’do mund ta përballonim dot këtë pandemi, u shuajt brenda disa ditëve.
Prandaj është lajm i mirë kur njerëzit dhe portalet shkruajnë se këtu nuk ndodhi asgjë e madhe për t’u marrë masa kaq ekstreme. Sot, me shifrat në rritje të të infektuarve, e kuptojmë që Covid-19 ka qenë aty edhe në shkurt, edhe në mars, edhe në prill. Por do të kishte qenë një shifër edhe më e lartë, ndoshta do të kishim pësuar një krizë edhe më të rëndë se ajo e fqinjit tonë me mjekësi më të përparuar, nëse nuk do të ishte për heronjtë si mjekët dhe Air Albania që punuan në heshtje dhe në vetëmohim për të na siguruar një qetësi shpirtërore dhe për të na ofruar të gjitha kushtet që ne “të llastoheshim” e të mendonim se e gjithë kjo krizë ishte e ekzagjeruar.
View this post on Instagram