
Brad Pitt ka paraqitur një mocion në gjykatë për të marrë akses në komunikimet private të ish-bashkëshortes së tij, Angelina Jolie, në kuadër të përgatitjeve për gjyqin e ardhshëm që lidhet me pronësinë e verarisë franceze Château Miraval.
Sipas dokumenteve ligjore të siguruara nga Page Six, aktori ka kërkuar që gjykata të detyrojë Alexei Oliynik, një përfaqësues i Stoli Group, kompanisë që bleu aksionet e Jolie në Miraval, të dëshmojë dhe të dorëzojë komunikimet që ka pasur me aktoren.
Pitt kishte tentuar të arrinte një marrëveshje me Oliynik përmes rrugëve jashtëgjyqësore në qershor, por kjo përpjekje nuk rezultoi e suksesshme. Oliynik ka refuzuar të bashkëpunojë, duke argumentuar se si shtetas zviceran nuk është i detyruar të udhëtojë në Kaliforni për të dëshmuar. Megjithatë, avokatët e Pitt kundërshtojnë këtë justifikim, duke theksuar se dëshmia mund të jepet edhe në distancë, nga vendbanimi aktual i dëshmitarit.
Në padinë e depozituar më 30 qershor, Pitt pretendon se Oliynik ka vepruar nën urdhrat e CEO-s së Stoli Group, Yuri Shefler, dhe e përshkruan atë si një “dëshmitar kyç” në këtë çështje ligjore. Vendimi i gjykatës për mocionin mbetet ende në pritje dhe një datë zyrtare gjyqi nuk është caktuar.
Burime pranë Pitt thonë se kërkesa për dëshminë e Oliynik nuk ka të bëjë vetëm me të, por me të gjithë Stoli Group, të cilin e akuzojnë për shmangie të qëllimshme të bashkëpunimit me gjykatën dhe për refuzim të vazhdueshëm të zbatimit të vendimeve ligjore.
Brad Pitt dhe Angelina Jolie blenë të dy Château Miraval gjatë kohës kur ishin bashkë. Pas ndarjes, ata vazhduan të kishin mosmarrëveshje për pronësinë dhe menaxhimin.
Si pasojë, Jolie shiti pjesën e saj, një veprim që Pitt e konsideron si hakmarrës dhe që çoi në një betejë ligjore që zgjat prej vitit 2022. Kjo pasi Pitt thotë se ata kishin një marrëveshje të heshtur që asnjëri të mos shiste pjesën e tij pa miratimin e tjetrit. Sipas tij, ky vendim ishte si një veprim i paautorizuar, i motivuar emocionalisht dhe i dëmshëm për biznesin që ata ndërtuan bashkë.
Çifti u njoh në vitin 2004, u martuan në 2014 dhe u divorcuan në vitin 2016, me finalizimin e procesit të divorcit që ndodhi vetëm në dhjetor 2024.
Aktualisht, Pitt është në një lidhje me Ines de Ramon, por burime të afërta me aktorin pohojnë se ai ende ndien keqardhje për mënyrën si përfundoi martesa me Jolie. Ai beson se ndarja ka ndikuar negativisht në marrëdhënien me gjashtë fëmijët e tyre: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Vivienne dhe Knox.