
A është ndonjëra prej nesh që mezi pret vizitën te gjinekologu? Për shumë gra, përgjigjja është jo. Dhe kjo ndjesi lidhet shpesh me shqetësimin, dhimbjen apo ndjesinë e turpit që mund të shoqërojë ekzaminimin vaginal. Sipas statistikave, rreth 35% e grave ndjejnë frikë ose parehati gjatë këtij procesi.
Pikërisht kjo përvojë e pakëndshme frymëzoi dy shkencëtare, Ariadna Izcara Gual dhe Tamara Hoveling, të diplomuara dhe aktive në Universitetin e Teknologjisë Delft në Holandë, të zhvillojnë një alternativë më të butë dhe miqësore për gratë: një zgjerues vaginal të ri që quhet Lilium.
“Shpresoj që ky dizajn do t’i motivojë më shumë gra të kujdesen për shëndetin e tyre duke kryer kontrolle të rregullta,” – shprehet Izcara Gual.
Pse Lilium?
Ekzaminimi vaginal është një metodë thelbësore për të zbuluar infeksione, çrregullime të sistemit riprodhues apo edhe kancer në fazat e hershme. Por instrumentet që përdoren tradicionalisht, zakonisht zgjerues metalikë, janë shpesh të frikshëm në pamje, të ftohtë në prekje dhe jo të përshtatshëm për trupin femëror.
“Disa nga gratë që intervistova më thanë se ndiejnë dhimbje si gjatë vendosjes, ashtu edhe gjatë heqjes së zgjeruesit metalik. Por nuk është vetëm dhimbja: edhe forma e instrumentit, që ngjan si një 'armë', dhe ndjesia e ftohtë, ndikojnë në përvojën e tyre,” – shpjegon Izcara Gual.
Për ta zëvendësuar këtë pajisje të vjetruar, Lilium është ndërtuar nga gome me cilësi mjekësore, që është mjaftueshëm e fortë për të hapur muret vaginale, por njëkohësisht mjaft fleksibël për të qenë e rehatshme. Emri i saj vjen nga forma e veçantë me tre petale, e frymëzuar nga lulet, për të sjellë një ndjesi më të këndshme te pacientet.
Lilium është testuar nga tetë vullnetare, të cilat raportuan përmirësim të ndjeshëm në përvojën e ekzaminimit. Pajisja është projektuar në atë mënyrë që mund të futet vetë nga pacientja, nëse ajo ndihet më rehat duke e bërë këtë, përpara se mjeku të vazhdojë me ekzaminimin.
Një tjetër përparësi? Lilium mund të pastrohet dhe sterilizohet lehtësisht, duke e bërë të përdorshëm në mënyrë të përsëritur dhe duke reduktuar mbetjet mjekësore.
Aktualisht, pajisja është ende në fazën e testimeve dhe studimeve të mëtejshme përpara se të hyjë në përdorim të gjerë klinik.
Shikoni videon e Ariadna Izcara Gual dhe Tamara Hoveling për të mësuar më shumë rreth këtij inovacioni premtues.