Burrat e martuar paguhen më shumë sesa burrat beqarë. Kjo është vërtetuar shumë herë nga studiuesit. Pyetja tani është pse. A meritojnë burrat e martuar të paguhen më shumë sepse janë punëtorë më të mirë? Apo janë punëdhënësit diskriminues ndaj burrave beqarë? Është pak nga të dyja? Apo diçka tjetër?
Një artikull nga studiuesi zviceran Patrick McDonald, "Primi i martesës mashkullore", botuar në Journal of Marriage and Family në 2020, përfshinte dy studime.
McDonald analizoi të dhënat nga Paneli Zviceran i Familjes, në të cilin punonjësit në Zvicër janë intervistuar në mënyrë të përsëritur midis viteve 1999 dhe 2017. Ai u përqëndrua tek burrat midis moshës 25 dhe 50 vjeç, të gjithë të cilët ishin të pamartuar kur u intervistuan për herë të parë. Në këtë studim të gjatë, 707 burra u intervistuan mesatarisht 6 herë të ndryshme.
Të dhënat u analizuan në mënyra të ndryshme. Çdo herë, rezultatet treguan se burrat e martuar paguheshin më shumë se burrat beqarë. Burrat e martuar mund të ndryshojnë nga burrat beqarë në shumë mënyra. Për shembull, nëse ata janë më të arsimuar, atëherë punëdhënësit mund t'i paguajnë më shumë jo sepse janë të martuar, por sepse kanë më shumë arsim. Kjo është arsyeja pse një analizë e veçantë është veçanërisht treguese. Çfarë ndodh me pagën e burrave kur disa burra martohen dhe të tjerë qëndrojnë beqarë? Kredencialet si arsimimi i tyre nuk po ndryshojnë, por a po ndryshon pagesa?
McDonald zbuloi se paga ndryshoi. Avantazhi i pagesës së burrave që u martuan shkonte nga 2.6% në 3.5% më shumë, krahasuar me ata që qëndronin beqarë. Një shpjegim pse burrat që u martuan paguheshin më shumë është sepse ata u bënë më produktivë. Por ky nuk mund të jetë shpjegimi, ose të paktën jo i vetmi, nëse punëdhënësit "preferojnë" burrat e martuar. Rezultatet e studimit tjetër sugjerojnë fuqishëm që punëdhënësit "preferojnë" burrat e martuar.
Studimi përfshiu faktorë që u konsideruan masa të produktivitetit: Statusi i menaxhimit, prestigji i punës, pjesëmarrja në trajnime profesionale dhe orët e punës. Sidoqoftë, asnjë nga këto nuk mund të supozohet se është masë e pastër e produktivitetit, sepse punëdhënësit mund të jenë të njëanshëm në favor të burrave të martuar për secilin prej tyre. Ata mund të promovojnë burrat e martuar në menaxhim, ose në punë më prestigjioze apo në më shumë programe trajnimi, t'u japin atyre më shumë orë, edhe nëse nuk i meritojnë më shumë sesa burrat beqarë.
Gjithashtu, McDonald kurrë nuk raportoi nëse burrat që u martuan u bënë vërtet më produktivë në cilëndo nga ato mënyra, në krahasim me kur ishin beqarë. Gjithçka që dihet me siguri është se ata janë paguar më shumë se burrat që kanë qëndruar beqarë.
Po sikur gjithçka për burrat të jetë identike në një CV, përveç statusit të tyre martesor?
Nëse dy aplikantë ishin saktësisht të njëjtë në çdo mënyrë, përveç se njëri ishte i martuar dhe tjetri kishte qenë gjithmonë beqar, dhe punëdhënësi paguante burrin e martuar më shumë, kjo nuk mund të shpjegohet ose justifikohet duke thënë se burri i martuar ishte një punëtor më i mirë. Këtu kemi të bëjmë me një diskriminim të plotë.
Nga studimi u vu re, se për të tre llojet e punëve të aplikuara, punëdhënësit kishin më shumë të ngjarë të thërrisnin burrat e martuar për intervistë sesa burrat beqarë, edhe pse kredencialet e tyre dhe gjithçka tjetër ishte identike. Punëdhënësit gjithashtu ofruan paga më të larta për burrat e martuar sesa burrat beqarë, megjithëse për punët me prestigj të mesëm, ndryshimi nuk ishte statistikisht i rëndësishëm.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Sipas autorit të studimit, punëdhënësit ndjejnë më shumë “afrimitet” për punëtorët e martuar sepse punëdhënësit dhe njerëzit e tjerë me pushtet në vendin e punës kanë më shumë gjasa që të jenë edhe vetë të martuar. Ose, ndoshta ata mendojnë se duhet t'u ofrojnë burrave të martuar një "pagë familjare", mendojnë se burrat e martuar do të jenë më të besueshëm ose më produktivë (edhe nëse nuk janë) etj.
Sipas McDonald, duhet të ndalohet vendosja e statusit martesor në CV. Kështu, burrat beqarë nuk do diskriminohen vetëm për këtë fakt.
Po për gratë a vlen e njëjta gjë? Apo në rastin e tyre ndodh e kundërta?!
Burimi: Psychology Today