
Gjatë një interviste në "Grida Duma Podcast", në Top Channel, Bora Zemani foli pak më shumë mbi jetën, karrierën e disa virtyte që ajo mendon se i ka, një ndër të cilat ishte pikërisht falja.
Siç edhe u shpreh, asaj i pëlqen të falë, por ky vendim vjen pasi është menduar mirë mbi personin që ka përballë, duke peshuar si duhet çdo të mirë e të keqe që e ka shoqëruar gjatë marrëdhënies me të.
"Unë fal të them të drejtën. Mua më pëlqen të fal. Domethënë unë e kërkoj arsyen për të falur. Mundohem të kuptoj te një person, te një situatë, mundohem të kuptoj pse më ka bërë të ndihem keq fillimisht. Çfarë ka pasur pas kësaj? Dhe pastaj të marr vendimin të fal ose jo."
Edhe pse gjatë intervistës Bora nuk u ndal te marrëdhënia me Donaldin specifikisht, por si çdo marrëdhënie edhe ajo ka kaluar jo pak tronditje dhe një ndër to (të paktën ajo që dëshmuam) ishte raporti që ai krijoi me Beatrix Ramosaj në Big Brother.

Romanca mes tyre mori edhe më shumë vëmendje, pasi erdhi pak kohë pas takimit që ai dhe Bora patën brenda shtëpisë. Kuptuam që kishte probleme mes tyre, por ata na lanë të kuptonim se gjërat do të zgjidheshin më vonë. Çdo gjë mori tjetër drejtim. Brenda Big-ut të atij viti një prej çifteve të krijuara ishte Donaldi dhe Beatrix, por romanca mes tyre përfundoi me mbarimin e spektaklit.

Pak kohë më vonë mësuam se Bora, pavarësisht gjithçkaje zgjodhi ta falte Donaldin dhe gjithë vëmendja ishte përsëri mbi ta. Për të gjithë ata që e gjykuan këtë veprim, ajo ndoshta e ka një përgjigje, teksa shpjegon mënyrën dhe arsyet pse zgjedh t'u japë disa marrëdhënieve (sidomos asaj me Donaldin) një mundësi të dytë.
"Natyrisht, nuk fal me naivitet, nuk fal se po gënjehem, fal me koshiencë të plotë. E di ku është gabuar, por unë do e fal, do e tejkaloj këtë gjënë dhe nuk e bëj duke zgjeruar kufijtë me të. Jo, kufijtë ngelen të njëjtë. Po të fal për këtë, por kufijtë e mi këtu janë prapë dhe nuk e harroj atë gjënë."

Pasi u pyet nga Grida nëse vlen të meresh sërish me të njëjtin njeri (gjithmonë në përgjithësi po flasim) Bora u shpreh se çdo gjë varet nga personi përballë dhe sa i/e gatshëm/e është ai/ajo për të mos shkuar më drejt të njëjtit gabimi.
"Disa herë unë nuk di të them, po një herë patjetër mund të falësh. Nëse është i njëjti gabim që bëhet gjithë kohës, sigurisht që nuk mund të ketë falje gjatë gjithë kohës. Po, në varësi të personit që ke përballë. Unë gjithmonë e them, unë marrëdhëniet i shoh edhe pak kështu si në peshore. Nëse përballë kam dikë që më ka bërë tre, katër, pesë të mira dhe pastaj bëri diçka gabim, unë nuk e hedh poshtë. Mundohem, më anon peshorja prapë nga gjërat e mira, sigurisht e lëviz pak kjo e keqja, por prapë rëndon e mira në këtë marrëdhënie. Nuk dua t’i shkatërroj marrëdhëniet."

Pa përmendur emra, pa hapur plagë dhe pa u ndalur te detajet, Bora la të kuptohej se falja për të është një akt pjekurie. Një mënyrë për të mos mbetur peng i së shkuarës dhe për të ecur përpara, qoftë me të njëjtin person, qoftë thjesht për pak paqe brenda vetes.









