Facebook-u, WhatsApp-i dhe Instagram-i u kthyen sërish pranë nesh pas 14 orëve problematike. Përdoruesit në të gjithë botën e kishin të pamundur të postonin, shkëmbenin mesazhe apo të dërgonin foto, aq sa për një çast po dyshonim për të ardhmen e rrjeteve të preferuara.
Shqetësimin, njerëzit e nisën ta shprehnin në Twitter, platformën e vetme që po funksiononte normalisht. Ndryshe nga ç’thuhej rreth e rrotull, kompania e Facebook tha se kjo që ndodhi nuk erdhi si pasojë e ndonjë sulmi kibernetik.
Kjo shkëputje është përshkruar si më e ashpra në historinë e Facebook-ut. Herën e fundit që kompania është përballur me një ndërprerje kaq të gjatë, ishte në vitin 2008 kur Facebook përdorej nga vetëm 150 milion njerëz. Sot, janë mbi 2.3 miliardë që e përdorin çdo ditë.
Ende nuk është specifikisht e qartë çfarë e shkaktoi këtë, por burime pranë kompanisë kanë thënë për NBC Bay Area se baza e të dhënave të Facebook-ut ka qenë “e mbingarkuar”.
Gjithsesi ende nuk ka një deklaratë zyrtare për ç’ndodhi 14 orë më parë. Siç mund ta keni parë, Instagram-i mëngjesin e sotëm u zgjua kështu.
Anddddd... we're back. pic.twitter.com/5E8UdlcsPJ
— Instagram (@instagram) March 14, 2019