
Noizy është arrestuar këtë të hënë në aeroportin e Zyrihut, në përpjekje për të hyrë në Zvicër. Sipas mediave zvicerane, reperi 38-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku po udhëtonte drejt Zvicrës për të prezantuar albumin e tij të ri në një klub në Rümlang, kur u ndalua prej policisë.
Policia kantonale e Zyrihut ka konfirmuar për median zvicerane Watson se arrestimi është bërë me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda.
Pas arrestimit, klubi ku ishte planifikuar performanca ka fshirë çdo njoftim apo reklamë të koncertit nga rrjetet sociale dhe faqet online.
Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që Noizy përballet me drejtësinë. Vetëm gushtin e kaluar, ai u arrestua në Shqipëri, pasi ishte shpallur në kërkim për përfshirje në një sherr të ndodhur në një diskotekë. Disa ditë më vonë, ai u lirua me kusht.
Ende nuk dihet nëse arrestimi në Zvicër ka lidhje me rastin e mëparshëm, apo nëse bëhet fjalë për hetime të reja. Ngjarja mbetet për përditësim.