Edhe në të tilla raste, kur vendi është në kaos total nuk mungojnë njerëz që guxojnë të hapin lajme të rreme, duke shtuar panikun tek njerëzit e tmerruar.
Autoritetet kanë vënë në pranga një vajzë 25-vjeçare, pasi akuzohet se ka përhapur në llogarinë e saj të Facebook-ut një link (lajm) të pavërtetë.
Vajza e quajtur Xhuljana Aliaj, në krye të artikullit të publikuar që fliste për një "katastrofë në portin e Durrësit" shkruante: "Future" (e ardhmja) duke u bërë shkak që qytetarët të boshatisin edhe më qytetin. Ky, nuk ishte postimi i vetëm i Aliajt që ngjalli panik tek qytetarët. Në një tjetër status të sajin, ajo i kërkonte njerëzve të largoheshin nga Porto Romanoja sepse "mund të shpërthenin bombulat e gazit."
Pas vëzhgimit të rrjeteve sociale nga ana e autoriteteve, Policia e Shtetit ka vënë në pranga vajzën, nën akuzën e veprës penale: “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
25-vjeçarja nuk është e vetmja në publikimin e "fake news", pasi Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me strukturat e tjera kanë evidentuar arsye të tjera të cilat po ndiqen penalisht.
Për të disatën herë, Policia i bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e lajmeve false apo thashethemeve që kanë për qëllim vetëm hapjen e panikut. Nëse ndesheni me diçka të tillë, njoftoni autoritetet në numrin 112.