
Nëse sapo je ndarë ose je ende duke u përpjekur të “zhdukësh” ndjenjat për ish-in, me shumë gjasë je përballur me një lumë këshillash nga miq dhe të njohur. Shprehje si “përqendrohu te vetja”, “tani mund të bësh ç’të duash” apo “personi i duhur do të vijë, do ta shohësh” janë të zakonshme. Disa madje mund të të nxisin të njohësh dikë të ri menjëherë, në mënyrë që ta heqësh mendjen nga e kaluara.
Por sa e ndihmon vërtet një marrëdhënie seksuale me dikë tjetër në kapërcimin e një lidhjeje të përfunduar? Ekspertët e marrëdhënieve ndajnë mendimet e tyre mbi pro dhe kundrat e këtij vendimi.
Çfarë mund të fitosh nëse fle me dikë tjetër për të harruar ish-in?
Sipas seksologëve dhe psikologëve, shumë njerëz arrijnë ta përballojnë më lehtë ndarjen pas një lidhjeje të re intime, sidomos kur kjo rrit ndjenjën e vetëbesimit.
Psikoterapistja Desirée N. Robinson shpjegon për bustle.com:
“Shpesh, një përvojë e re seksuale shërben si një shpërqendrim dhe si një mënyrë për të konfirmuar që je sërish e lirë dhe e aftë të ndihesh mirë. Nëse ke dëshirë ta provosh, kjo mund të të japë ndjesinë e fuqizimit emocional. Në raste të caktuara, mund të zbulojmë pjesë që mungonin në marrëdhënien e mëparshme.”
Ajo shton se një flirt i ri apo një marrëdhënie kalimtare mund të ndihmojë në:
zbutjen e dhimbjes emocionale,
rivendosjen e vetëvlerësimit,
ndërtimin e mënyrave të reja për të krijuar intimitet,
dhe ndarjen e së shkuarës nga e tashmja.
Kur një vendim i tillë mund të kthehet në pengesë
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një lidhje e re e nxituar mund të ketë edhe efekte të padëshiruara.
Psikoterapistja dhe terapistja e seksit Maria Becker thotë:
“Shumë njerëz kanë vështirësi të përfshihen në marrëdhënie të shpejta ose seks me persona që nuk i njohin mirë. E shohim seksin si një mënyrë për të marrë një dozë të shpejtë dopamine, për t’u ndier të dëshiruar, por në të vërtetë nuk po i japin vetes kohën për të përpunuar dhimbjen.”
Sipas saj, një vendim impulsiv për të fjetur me dikë mund të çojë në:
zgjedhje të gabuara,
përfshirje në lidhje toksike,
ndjenja faji apo boshllëku pas aktit,
dhe zhgënjim të vetvetes nëse pritshmëritë nuk përmbushen.
Edhe Robinson thekson se seksi është një përvojë shumë subjektive, ajo që për dikë është çlirim emocional, për dikë tjetër mund të jetë një mënyrë për të mbushur boshllëqe që duan më shumë se një përqafim për t’u shëruar.
Pra, çfarë duhet të bësh?
Në fund, vendimi është thellësisht personal. Vetëm ti mund të ndjesh nëse një marrëdhënie e re do të të ndihmojë të ecësh përpara apo do të të mbajë të lidhur me të kaluarën.
Nëse ndihesh i/e pasigurt, ndoshta është më mirë të kalosh pak kohë me veten. Jo vetëm për të kuptuar se çfarë të pëlqen, por edhe për të shmangur ndjenja faji, ngatërresa emocionale apo stres të panevojshëm.
Ekspertët sugjerojnë të:
reflektosh mbi marrëdhënien e mëparshme,
kuptosh çfarë kërkon nga një lidhje e ardhshme,
mos bësh zgjedhje nga frika apo vetmia,
qëndrosh afër njerëzve që të mbështesin pa gjykim.
Si Becker, ashtu edhe Robinson, bien dakord në një pikë thelbësore: Të jesh i/e qartë me veten është më e rëndësishmja. Kur e di çfarë do dhe pse e do, vendimet që merr do të jenë më të qëndrueshme emocionalisht.