Pak ditë më parë, pyetëm ndjekësit tanë në Facebook-un e Anabel duke i kërkuar të na dërgonin foto se çfarë mbanin në çantë, të cilat i kemi grupuar në 6 tipe kryesore.
1. “Minimalistet” – Preferojnë gjërat bazike, një portofol, antidjersë, karikues, syzet e diellit dhe po patën vend, ndoshta një shishe të vogël parfumi.
2. “Nxënësja me dhjeta” – Hmm normalisht këtu nuk mungon një libër, një fletore leksionesh, fletë që i ka marrë tek fotokopja dhe disa stilolapsa. Cool.
3. “Leku letër” – E rëndësishme është që të kenë lekë cash, pasi çdo gjë tjetër është lehtësisht e gjetshme. Nuk e vrasin mendjen për shumë sende, fundja kujt i duhen nëse “xhepat” janë plotë.
4. “Llupset” – Këtu gjen gjithmonë një çokollatë të lënë përgjysmë, një letër patatinash, kuti me çamçakëz, ndonjë frut etj. Zakonisht çantat e tyre janë një depozitë e mirë letrash dhe qesesh ushqimesh.
5. “#Mamma” – Gjithë ç’lexuat më sipër, harrojeni! Një çantë nëne do të ketë çdo gjë të mundshme, përveç gjërave që i nevojiten asaj. Një pelenë bebi në një vend, një biberon në tjetër, një pulovër e ngrohtë se mos freskohet koha etj, janë disa prej gjërave që nuk harrohen kurrë.
6. “Mini-dollap” – Ky është rasti më i përhapur. Ndodh përherë që gjithë çka gjendet në njërën çantë, transportohet në tjetrën pa i kontrolluar fare. Duke filluar nga tualeti e deri tek sendet e panevojshme, në të tilla çanta nuk mungon kurrë asgjë. Një njeriu të tillë mund t’i kërkosh çdo gjë të mundshme, pasi e di se thellë-thellë, në një cep të harruar, mund ta gjejë.