
Shpesh kemi shkruar për marrëdhëniet në çift, për ndarjet, për histori të vërteta që nuk gjetën zgjidhje, por edhe për rikthime me njerëz që, për arsye të ndryshme, ishin larguar nga jeta jonë. Kemi folur për pyetjet që duhet t’i bëni vetes përpara se të riktheheni në një marrëdhënie me ish-partnerin tuaj, madje kemi analizuar edhe çfarë mund të nënkuptojnë ëndrrat me një ish-të dashur.
Ju kemi treguar edhe për shenjat që tregojnë se një ish mund të kthehet sërish tek ju, por edhe përse vitet e fundit ka aq shumë rikthime (Ben Affleck dhe Jennifer Lopez janë një shembull i qartë). Nga të gjitha këto, ndoshta tashmë e keni kuptuar (nëse nuk e dinit më parë) se rikthimi në një lidhje që ka përfunduar nuk është gjithmonë ideja më e mirë.
Megjithatë, në këtë artikull do të lexoni disa arsye përse mund të thoni "po" një rikthimi, nëse është diçka që po e mendoni seriozisht. Psikoterapistja, Annie Armstrong Miyao, thekson se njerëzit mund të piqen dhe të ndryshojnë (nëse e duan me të vërtetë), dhe sjell pesë shenja që tregojnë se një rikthim mund të funksionojë.
1. U ndatë për shkak të kohës së gabuar
Ndoshta jeni ndarë sepse jetonit në qytete të ndryshme dhe nuk e dinit kur do mund të ishit vërtet bashkë. Apo thjesht sepse ndodheshit në faza të ndryshme të jetës. Tani, ndoshta kushtet kanë ndryshuar dhe janë të përshtatshme për një rikthim.
"Nëse rrethanat logjike dhe emocionale që çuan në ndarje kanë ndryshuar, mund të jetë momenti i duhur për t’u rikthyer bashkë."
2. Mund të rindërtohet besimi
Nëse në marrëdhënien tuaj ka pasur thyerje të besimit, përpara se të filloni sërish me të njëjtin person, pyesni veten nëse vërtet mund t’i besoni.
Nëse ndjesat e faljet janë të sinqerta dhe të dy ndiheni gati të lini pas të kaluarën, atëherë mund të vazhdoni përpara mbi themelet e sinqeritetit dhe të ndershmërisë.
"Sigurohuni që të dy partnerët ta marrin përsipër përgjegjësinë dhe barrën që mbart një lidhje. Dhe kujtoni: pjesë e besimit është edhe gatishmëria për t’u lënduar."
3. Ndiheni më të pjekur dhe gati për sfidat e një lidhjeje
Çdo marrëdhënie ka sfidat dhe dobësitë e veta, edhe kur njiheni mirë me personin tjetër. A ka ndryshuar mënyra si i përballoni situatat? A ndiheni ende nën ndikimin e faktorëve të jashtëm? Çfarë ndodh kur jeni nën presion emocional?
"Nëse mënyra se si i përballonit situatat stresuese më parë nuk ju pëlqente, diskutoni tani për mënyrën si do i menaxhoni në të ardhmen, që të mos përsërisni të njëjtat modele shkatërruese."
4. E pranoni tjetrin për atë që është
Teksa mendoni nëse do të riktheheni apo jo, pyesni veten nëse jeni me të vërtetë të gatshëm të angazhoheni me të njëjtin njeri.
Pyetja që duhet t’i bëni vetes është: “A mund t’i përballoj vështirësitë që i shoqërojnë këtë marrëdhënie?”
"Besoj shumë në aftësinë e njeriut për të ndryshuar dhe për të pjekur. Por mund ta doni dikë për atë që është tani? A mund të pranoni dhe të kuptoni të metat e tij/saj me durim?"
5. Keni të njëjtat vlera në jetë
Gjatë kohës që keni qenë të ndarë, me shumë gjasë keni reflektuar. Keni punuar me veten, vetë ose me ndihmën e një profesionisti, dhe diçka ka ndryshuar. Po kështu edhe pala tjetër. Tani, duket se shihni në të njëjtën drejtim për sa i përket jetës.
Për shembull, në të kaluarën mund të kishit mendime të ndryshme për rritjen e fëmijëve apo për krijimin e një familjeje; sot, këto qëndrime përputhen.
"Është shumë e rëndësishme që përpara se të riktheheni, të diskutoni seriozisht për tema si krijimi i familjes, feja apo organizimi financiar. Nëse jeni në të njëjtën faqe, s’keni asgjë për të humbur duke e provuar sërish."