
Stilisti i njohur italian Giorgio Armani, i cili u nda nga jeta më 4 shtator në moshën 91-vjeçare, ka lënë pas jo një, por dy testamente, një të datës 15 mars dhe një tjetër më 5 prill. Detajet e tyre u bënë publike mëngjesin e së premtes, më 12 shtator, nga disa media ndërkombëtare.
Sipas testamenteve, Fondacioni Giorgio Armani do të marrë kontrollin mbi shtëpinë e modës që mban emrin e tij, duke vijuar trashëgiminë që ai ndërtoi që nga vitet 1970.
Brenda një viti nga hapja e testamentit, dhe jo më vonë se 18 muaj, 15% e aksioneve të kompanisë Giorgio Armani SpA pritet të shiten. Sipas testamentit të cituar nga Reuters, shitja mund të bëhet tek një nga këto tri kompani të mëdha ndërkombëtare:
LVMH (Louis Vuitton Moët Hennessy)
L'Oréal
EssilorLuxottica
Tre deri në pesë vite pas kësaj faze të parë, është parashikuar një shitje shtesë prej 30% deri në 54.9% të kompanisë, sërish tek njëri prej këtyre blerësve. Alternativa tjetër që përmendet në testament është një ofertë publike fillestare (IPO), në varësi të zhvillimeve të tregut.
Në testament, Armani ka theksuar se përparësi duhet t’u jepet grupit luksoz francez LVMH, në pronësi të Bernard Arnault, aktualisht njeriu më i pasur në Francë. Dy opsionet e tjera të preferuara të stilistit janë gjiganti i kozmetikës L’Oréal dhe kompania optike EssilorLuxottica, e cila ka një bashkëpunim afatgjatë me markën Armani.
Gjithashtu, trashëgimtarëve u kërkohet të marrin në konsideratë edhe kompani të tjera të industrisë së luksit, me të cilat Giorgio Armani ka pasur marrëdhënie tregtare ndër vite.
Giorgio Armani ishte aksionari i vetëm dhe drejtuesi kryesor i Giorgio Armani SpA, të cilën e themeloi së bashku me partnerin e tij, Sergio Galeotti. Gjatë gjithë karrierës së tij, ai ruajti kontroll të rreptë mbi drejtimin menaxhimin ekzekutiv, duke refuzuar në mënyrë të përsëritur ofertat për t’u bashkuar me ndonjë nga grupet e mëdha të luksit.
Armani e përshkroi pavarësinë e markës së tij si një “vlerë themelore”. Në vitin 2024, kompania regjistroi të ardhura prej 2.3 miliardë eurosh, duke u shtrirë përtej modës, në sektorë si hotele, restorante, klube nate, kozmetikë, apo çokollata.