
Aktori i njohur amerikan, Josh Duhamel, ka zgjedhur të largohet nga jeta e Hollywood-it për të ndërtuar një jetë më të thjeshtë, më të qetë, në zemër të natyrës së Minesotës.
I njohur për rolet e tij në filma të suksesshëm si Transformers, Duhamel rrëfu në një intervistë për Parade se vendimi për të jetuar në një shtëpi mëse modeste e të izoluar në pyll nuk ishte thjesht një kapriçio, por një nevojë e thellë për qetësi shpirtërore.
“Një nga arsyet pse ndërtova shtëpinë time në Minesota, thellë në pyll, është sepse ndodhet larg gjithçkaje,” tha ai. “Dyqani më i afërt është 64 kilometra larg. Atje, jeta ka të bëjë me kujdesin për njëri-tjetrin, me krijimin e kujtimeve dhe kalimin e kohës me familjen e miqtë.”
Ai ndan këtë mënyrë jetese me bashkëshorten e tij, Audra Mari, djalin e tyre 1-vjeçar, Shepherd, si dhe djalin 11-vjeçar, Axl, që ka nga martesa me këngëtaren Fergie. Për Josh, kjo jetë nuk është vetëm një “arratisje” nga Hollywood, por një mënyrë për t’u rikthyer tek vlerat që e formësuan që në fëmijëri, natyra, komuniteti dhe lidhja me tokën.
View this post on Instagram
Në fakt, aktori ka kaluar 15 vite duke punuar për të ndërtuar vetë shtëpinë e tij, nga themelet e deri tek detajet më të vogla. Në një moment, madje, ai ishte i detyruar të lante enët në liqenin pranë, derisa të përfundonte infrastruktura bazë.
“Më solli më afër thelbit të jetës. Ka diçka në këtë mënyrë jetese që të mbush shpirtin në shumë mënyra,” thotë ai. “Të jesh në kontakt me tokën, të jetosh pa luksin e panevojshëm të famës, më ndihmon të përqendrohem në atë që ka vërtet rëndësi.”
View this post on Instagram
Pasioni i Josh për natyrën vjen që nga fëmijëria e tij në Dakotën e Veriut, ku u rrit duke hipur në kuaj dhe duke kaluar kohën jashtë. Sot, në pronën e tij në Minesota, ai thotë se ndjen të njëjtën gëzim duke vozitur traktorin apo duke punuar jashtë.
“Jam gjithmonë duke bërë diçka. Është si një [arklojërash i madh për mua,” shtoi ai.
Ai tha se është shumë i lumtur për mënyrën se si po rrit fëmijët e tij.
“Djali im do ta mbajë mend këtë vend gjithë jetën. Nuk është me iPad-in e tij kur jemi atje, luan futboll në rërë, është në varkë me mua, ose po më ndjek në pyll. Dhe vogëlushi im do të ketë të njëjtën përvojë. Shpresoj që një ditë t’ua lë atyre këtë vend, që ta ndajnë me fëmijët e tyre. Nuk ka të bëjë me luksin. Ka të bëjë me familjen. Me trashëgiminë.”
View this post on Instagram
Josh Duhamel e nisi karrierën e tij në fillim të viteve 2000, duke fituar famë me rolin e Leo du Pres në serialin “All My Children”, për të cilin fitoi edhe një çmim Daytime Emmy në vitin 2002. Por roli që e bëri të njohur ndërkombëtarisht ishte ai i kapiten William Lennox në serinë filmike Transformers (2007–2011), nën regjinë e Michael Bay.