
Pas më shumë se dy vitesh ndarjeje për shkak të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Korenë e Jugut, të shtatë anëtarët e grupit BTS janë ribashkuar këtë muaj, duke festuar së bashku 12-vjetorin e krijimit të grupit të tyre. Festimet u mbajtën më 13 dhe 14 qershor në Goyang, pranë Seulit, ku morën pjesë mbi 60,000 fansa nga e gjithë bota.
Ato ditë, gjashtë nga anëtarët e grupit, Jin, j-hope, RM, Jimin, V dhe Jungkook, e kishin përfunduar shërbimin e tyre ushtarak, ndërsa anëtari i fundit, Suga, e përfundoi zyrtarisht detyrën më 21 qershor.
Suga mori një formë alternative të shërbimit për shkak të një dëmtimi të mëparshëm, duke punuar si punonjës civil. Megjithatë, ai nuk kishte të drejtë të merrte pjesë në aktivitete profesionale deri në përfundimin zyrtar të shërbimit.
Gjatë eventit FESTA ku grupi bëri ribashkimin, anëtarët befasuan fansat me prezencën e tyre. Në skenë performuan j-hope, Jin dhe Jungkook me këngë si “Jamais Vu”, “Seven” dhe “Don’t Say You Love Me”, ndërsa RM, Suga, Jimin dhe V qëndruan në audiencë, duke shijuar emocionet së bashku me ARMY-n, fansat e tyre.
Ky ribashkim shënon një moment kyç për BTS dhe fansat e tyre, të cilët kanë pritur me padurim rikthimin e grupit në përbërje të plotë. Megjithëse nuk është dhënë ende një datë zyrtare për projektet e ardhshme, kompania menaxhuese e tyre, HYBE, ka konfirmuar se BTS do të rikthehet me aktivitete të grupit në fund të vitit 2025 ose në fillim të vitit 2026. Një album i ri dhe një turne botëror janë në planet që pritet të zbulohen së shpejti.
Pas një periudhe ku çdo anëtar punoi në projekte solo dhe përmbushi detyrimet ushtarake, grupi është gati të shkruajë kapitullin e radhës të historisë së tij, një rikthim që pritet me shumë emocion nga miliona fansa në të gjithë botën.
Burimi: People