
Takahiro Shiraishi, i njohur nga mediat si “vrasësi i Twitter-it”, është ekzekutuar me varje, pasi ishte dënuar për vrasjen dhe copëtimin e trupave të nëntë personave që kishte njohur online në vitin 2017. Ky është rasti i parë i ekzekutimit në Japoni që nga viti 2022.
Sipas raportimeve, Shiraishi i kishte joshur viktimat – kryesisht vajza të reja, të moshës 15 deri në 26 vjeç – në banesën e tij pranë Tokios, duke u prezantuar si dikush që “ofronte ndihmë për ata që donin të vdisnin”, pasi kishte kontaktuar me ta përmes platformës sociale që sot quhet X (dikur Twitter). Ai më pas i vriste, i copëtonte dhe i fshihte mbetjet e trupave në frigoriferë të vegjël të shpërndarë në apartamentin e tij.
Ministri japonez i Drejtësisë, Keisuke Suzuki, deklaroi për mediat:
“Krimet e Shiraishi-t përfshijnë grabitje, përdhunim, vrasje, shkatërrim dhe braktisje të trupit të pajetë. Nëntë viktima u dhunuan, u mbytën, u grabitën dhe trupat e tyre u copëtuan. Disa pjesë trupore u hodhën në plehra, të tjera u ruajtën në kuti.”
Ai shtoi se vendimi për ekzekutimin u mor “pas shumë shqyrtimesh të kujdesshme”.
Japonia është një nga dy vendet e G7 që ende e zbaton dënimin me vdekje, përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një sondazh qeveritar të vitit 2024, 83% e japonezëve e konsideronin dënimin me vdekje si “të pashmangshëm”.
Megjithatë, sistemi japonez i ekzekutimeve ka ngjallur kritika të shumta – të burgosurit zakonisht mbahen në izolim për vite apo dekada, pa dijeni për datën e ekzekutimit. Njoftimi për varjen u jepet vetëm disa orë përpara, zakonisht në orët e para të mëngjesit, çka ndikon rëndë në gjendjen e tyre mendore.
Në dhjetor të vitit 2023, 107 persona ishin në pritje të ekzekutimit në Japoni.
Një nga rastet më të njohura të viteve të fundit ishte ai i sektit Aum Shinrikyo, të cilët në vitin 2018 u ekzekutuan për sulmin me gaz sarin në metronë e Tokios në vitin 1995, ku humbën jetën 14 persona dhe mijëra të tjerë u helmuan.
Burimi: The Guardian