
Tanner Martin, influenceri 30-vjeçar, është ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë pesë-vjeçare me kancerin e zorrës së trashë. Vdekja e tij ndodhi vetëm 41 ditë pasi ai dhe bashkëshortja e tij, Shay Wright, mirëpritën në jetë vajzën e tyre të parë, Amy Lou.
Lajmi u bë publik përmes një videoje prekëse të regjistruar më parë, të shpërndarë më 25 qershor në Instagramin e çiftit. Në të, Tanner e nis me fjalët:
“Hej, jam unë, Tanner. Nëse po e shihni këtë video, kam vdekur.”
View this post on Instagram
Ai shpjegoi se kishte parë dikë tjetër të bënte diçka të ngjashme një vit më parë dhe i ishte dukur një mënyrë e mirë për të përshëndetur njerëzit dhe për të lënë pas një mesazh të sinqertë. Në një ton sa të ndjeshëm, aq edhe me humor, ai shtoi:
“Kam pasur një jetë të shkëlqyer. Jeta ishte e mrekullueshme. Kam shumë njerëz që mezi pres t’i takoj në botën tjetër dhe shpresoj që tani të jemi duke qeshur me ju 'dështakët' këtej.”
Nëse keni hasur video të këtij çifti në TikTok ose Instagram, nuk jeni vetëm. Tanner dhe Shay ndërtuan një komunitet të madh ndjekësish gjatë pesë viteve, duke dokumentuar hap pas hapi përballjen e tij me diagnozën e kancerit në moshën 25-vjeçare, përpjekjet për shtatzëni përmes fertilizimit in Vitro, pritjen e vajzës dhe jetën me një diagnozë terminale.
View this post on Instagram
Në një video të dytë të publikuar të njëjtën ditë, Shay ndau edhe dëshirën e fundit të Tanner-it: të hapte një GoFundMe për të siguruar të ardhmen financiare të saj dhe të vajzës së tyre.
Më 11 maj, vetëm disa ditë para lindjes së vajzës, Tanner ndau një video ku fliste për gjendjen e tij shëndetësore dhe lodhjen që po përjetonte nga kimioterapia. Në video, ai mbante në dorë një palë këpucë të vogla bebeje dhe thoshte me emocion:
“E dini çfarë ndodh pas gjashtë ditësh? Lind ajo [vajza].”
View this post on Instagram
Tanner tregoi në një intervistë të mëparshme për People se në shkurt të vitit 2023 mjekët i kishin komunikuar se kanceri nuk ishte më i shërueshëm dhe se mund të kishte vetëm dy deri në pesë vjet jetë. Megjithatë, ai nuk u ndal asnjëherë së dokumentuari përvojën e tij dhe së përhapuri vetëdije mbi kancerin e zorrës së trashë – një sëmundje që prek gjithnjë e më shumë të rinj.
Në videon e tij të fundit, Tanner falënderoi të gjithë njerëzit për mbështetjen:
“Ju dua shumë. Faleminderit që më keni ndihmuar t’i bëj vitet e fundit më të lehta, më të bukura dhe më të rehatshme.”
Burimi: People