
Charlize Theron duket se ka mbajtur distancë nga Johnny Depp gjatë një eventi të organizuar nga Dior në kuadër të Javës së Modës në Paris. Të dy aktorët, që kanë bashkëpunuar në filmin The Astronaut's Wife në vitin 1999, ndodheshin në të njëjtin ambient, por Theron zgjodhi ta injoronte plotësisht Depp-in, në një mënyrë që u interpretua si demonstrative dhe që shkaktoi shumë reagime në rrjetet sociale.
Që nga filmi i përbashkët më shumë se dy dekada më parë, Theron dhe Depp nuk kanë pasur më projekte që i kanë bërë bashkë dhe duket se as marrëdhënie personale nuk kanë ruajtur. Sjellja e Theron në sfilatë konfirmoi se kontaktet mes tyre janë ndërprerë prej kohësh. Të dy janë të lidhur prej vitesh me shtëpinë franceze Dior, Depp si fytyra e parfumit për meshkuj Sauvage dhe Theron si imazhi i aromës ikonike J'Adore, megjithatë, distanca midis tyre ishte mëse e dukshme.
Momenti i sikletshëm u kap nga kamerat dhe videoja përkatëse u shpërnda më vonë në rrjetin X, me mbishkrimin: “Charlize Theron injoron Johnny Depp (me të cilin ka luajtur në ‘The Astronaut's Wife’) gjatë sfilatës së Dior”.
Charlize Theron ignoring Johnny depp(whom she worked with on The astronaut) at the Dior fashion show is funny when u remember she liked that times article on instagram dragging him for his terrible behaviour pic.twitter.com/vByatpCQ35
— erika???? (@erikamafiXOXO) October 2, 2025
Reagimet nuk munguan, sidomos nga ata që kujtuan se Charlize kishte pëlqyer më parë një artikull të The Times në vitin 2023, që kritikonte rikthimin e Johnny Depp në kinematografi pas procesit të shumëpërfolur gjyqësor me Amber Heard.
Pas fitores në gjyqin për shpifje ndaj Amber Heard në vitin 2022, Johnny Depp është përpjekur të rikthehet gradualisht në skenën publike. Ai u shfaq me filmin francez Jeanne du Barry në Festivalin e Filmit në Kanë, ku u prit me duartrokitje të gjata, dhe rinovoi kontratën e tij me Dior.