
Një gjykatës federal në New York dha vendimin ndaj Sean “Diddy” Combs pas shpalljes së tij fajtor këtë verë për akuza të lidhura me transportimin për qëllime prostitucioni. Diddy u dënua me katër vjet e dy muaj burgim pas dënimit të tij këtë verë për akuza federale që lidhen me prostitucionin dhe u urdhërua të paguante një gjobë prej 500 mijë dollarësh. Vendimi u dha të premten, pas një procesi gjyqësor që zgjati me muaj dhe tërhoqi vëmendje të madhe.
Në korrik, trupi gjykues shpalli Diddy-in të pafajshëm për akuzat më të rënda, përfshirë komplotin për trafikim seksual dhe bashkëpunimin kriminal, por e shpalli fajtor për dy pika akuze që lidhen me transportimin e personave për të marrë pjesë në prostitucion. Çdo akuzë mbartte një dënim maksimal deri në dhjetë vjet burg.
Diddy, 55 vjeç, u mbajt në paraburgim në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Brooklyn që nga arrestimi i tij në shtator të vitit 2024. Koha që ka kaluar në qeli do t’i llogaritet si pjesë e dënimit të tij. Ai gjithashtu u urdhërua të paguajë një gjobë prej 500 mijë dollarësh dhe do të jetë nën mbikëqyrje për pesë vite pas lirimit.
Avokatët e Combs-it kërkuan një dënim më të lehtë, prej jo më shumë se 14 muajsh, duke argumentuar se ai kishte treguar pendesë dhe ishte në proces rehabilitimi. Ndërkohë, prokurorët kërkuan një dënim shumë më të ashpër, mbi 11 vjet burg, duke e përshkruar artistin si “të pandreqshëm” dhe me “një histori të gjatë abuzimesh dhe dhune”.
Para se të dëgjonte vendimin, Combs iu drejtua gjykatës me një deklaratë emocionale, ku kërkoi falje ndaj ish-të dashurave të tij, familjes, viktimave të dhunës në familje dhe komunitetit të tij. Ai e përshkroi sjelljen e tij si “të turpshme dhe të sëmurë”, duke shtuar:
“E di që jam vërtet i penduar për gjithçka. E kuptoj që prokuroria do që të jem shembull, por dua që të jem shembull për atë që mund të bëjë një njeri kur i jepet një mundësi e dytë.”
Në seancë folën pesë nga avokatët e tij, gjashtë fëmijët e tij të rritur dhe disa të afërm të tjerë. Gjykatësi Arun Subramanian refuzoi më parë dy kërkesa për lirimin me kusht dhe hodhi poshtë kërkesën për rrëzimin e vendimit të trupit gjykues.
Gjatë gjyqit, i cili nisi më 12 maj, prokurorët federalë e akuzuan themeluesin e Bad Boy Records se për më shumë se dy dekada kishte përdorur pushtetin, pasurinë dhe ndikimin e tij për të detyruar ish-partneret të merrnin pjesë në festa seksuale me burra të tjerë, të cilat ai i organizonte, i filmonte dhe shpesh i ndiqte personalisht. Ata e përshkruan këtë si një model abuzimi që përfshinte edhe dhunë, kërcënime dhe shantazh.
Në gjyq dëshmuan mbi 30 persona, përfshirë ish-të dashurat e tij Cassie Ventura dhe një grua tjetër që përdori pseudonimin “Jane”, ish-punonjës, ndihmës personalë, eskorta meshkuj, staf hoteli dhe figura publike si reperi Kid Cudi dhe këngëtarja Dawn Richard. Diddy nuk dëshmoi personalisht.
Të dyja gratë përshkruan në detaje “hotel nights” ose “freak-offs”, duke thënë se ishin detyruar të merrnin pjesë përmes presioneve fizike dhe psikologjike. Ventura dëshmoi se gjatë marrëdhënies 11-vjeçare, Combs e kishte dhunuar fizikisht dhe emocionalisht, ndërsa trupit gjykues iu shfaq disa herë videoja e vitit 2016 ku ai shihet duke e goditur në korridorin e një hoteli. “Jane” rrëfeu gjithashtu një episod dhune që i kishte shkaktuar plagë në kokë.
Avokatët e Combs-it pranuan se ai kishte pasur “momente dhune”, por mohuan çdo formë detyrimi apo trafikimi seksual, duke thënë se marrëdhëniet kishin qenë me pranimin e të dyja palëve dhe pjesë e një jetese të tillë.
Para vendimit përfundimtar, Cassie Ventura i kërkoi gjykatës përmes një deklarate që të jepte një dënim të rreptë:
“Unë e di që pjesëmarrja ime në ato akte ishte rezultat i forcës dhe manipulimit. Ai duhet të mbajë përgjegjësi për atë që më ka bërë mua dhe të tjerave.”
Gjykatësi Subramanian tha se Diddy “ka abuzuar me pushtetin dhe me gratë që pretendonte se i donte” dhe se “duhej një dënim i rëndë për të dërguar një mesazh të qartë se abuzimi ndaj grave sjell përgjegjësi të vërtetë”.
Ai falënderoi publikisht gratë që kishin guxuar të dëshmonin:
“Ju dëgjuam. Jam krenar që i treguat botës të vërtetën.”
Pas vendimit, avokati i Cassie Ventura-s tha se dënimi “reflekton seriozitetin e veprave” dhe se guximi i saj ka frymëzuar shumë viktima të tjera.
Avokatët që përfaqësojnë akuzues të tjerë njoftuan se do të vazhdojnë proceset civile kundër Diddy-it, i cili përveç çështjes penale përballet me më shumë se 50 padi civile për abuzim seksual dhe sjellje të papërshtatshme, të gjitha të mohuara prej tij.
Burimi: The Guardian