Për vite me radhë, që pas zhvillimit të bujshëm të teknologjisë dhe fuqizimit të YouTube-t, këngëtarë shqiptarë, ndikuar sigurisht edhe nga trendet e muzikës ndërkombëtare, hoqën dorën nga albumet. Një album, që domosdoshmërisht kërkonte më shumë përkushtim, nuk ishte më një mjet i favorshëm fitimi krahas këngëve single ose hiteve të verës. Mirëpo një hit harrohej dhe zëvendësohej nga një tjetër. Punë e madhe, fitimi ishte në xhep gjithsesi!
Megjithatë kohëve të fundit, për fat të mirë, disa prej artistëve më të mirë të muzikës shqiptare po rikthejnë epokën e albumit si një formë për të sjellë produkte muzikore që do të zgjasin shumë më tepër se një hit vere që konsumohet dhe dëgjohet për aq kohë sa nuk ka ardhur dimri.
~ Elvana Gjata – Live Sessions EP “3” ~
Në shkurt të një viti më parë, për ditëlindje, Elvana Gjata mendoi të bënte diçka ndryshe. Një koncert intim, i thjeshtë dhe spektakolar në mënyrën e tij për të promovuar albumin EP “3”. Albumi, një bashkëpunim i Elvanës, Pirro Çakos dhe Darko Dimitrov, risolli Elvanën e “Acoustic Live Session”, këtë herë në një tjetër dimension.
Sot, pas gati 1 vit e pak, këngë si “Ti Shqipëri më jep nder” me tekst të përshtatur nga poezia e njohur e Naim Frashërit, “Më Fal”, “Xheloz”, “Veç një pikë”, “Gjërat kanë ndryshuar” dhe “Festojmë” kanë grumbulluar rreth 60 milionë klikime në YouTube dhe shijohen e dëgjohen njësoj si ditën e parë.

~ Tjetër nivel i muzikës rep – MC Kresha dhe Lyrical Son (por jo vetëm) ~
Pas albumeve “Për Inati t'Njoni Tjetrit” (2011) dhe “Rapsodët N’rap T’sotit” (2016), Kresha dhe Lyrical son sollën bashkëpunimin e tyre të tretë: Albumi “U.S.A” (iTunes, Spotify, Apple Music dhe Amazon Music).
“United States of Albania”, një prodhim i labelit P.I.N.T, me produksion të Strike Beatz dhe K-Master, u quaj kështu sepse “tenton të paraqesë Shqypninë e Bashkueme, sidomos në fushën artistike, një element kyç në afrimin tonë ndërkombëtar”. Ishin këto fjalët e MC Kreshës pak kohë më parë në "Prive", ku ndër të tjera shtoi se: “Do jenë dy pjesë: Versioni ‘me t’shame’ dhe versioni ‘pa t’shame’, për të qenë më të kujdesshëm. Gjithnjë kemi pasur këtë ndarje, këngë me censurë dhe pa censurë. Edhe në videoklipe jemi treguar të kujdesshëm. Kemi fansa të shumtë, ka edhe nga ata që nuk duan t’i dëgjojnë [këngët me të shara].”
“Ne duam t’u tregojmë të gjithëve se për të qenë artist i mirëfilltë, duhet të realizojmë albume, projekte me të cilat të kemi çka t’u tregojmë brezave pasardhës,” u shpreh MC Kresha në një intervistë ekskluzive për Anabel në 2016-n.
Pas lançimit, albumi “U.S.A” u kthye menjëherë në një ndër të preferuarit e fansave të muzikës rep dhe jo vetëm.
Ju kujtojmë gjithashtu që “Rapsodët N’rap T’sotit” (2016) ishte albumi i parë shqiptar për një treg ndërkombëtar, i cili vetëm dy ditë pasi u publikua në iTunes, Google Play dhe Amazon arriti të renditej në vendet e para të albumeve më të shitura në Zvicër, Suedi e Maqedoni; në Austri në vend të gjashtë dhe në Gjermani në vendin e 12. Nëse nuk e keni dëgjuar ende, ç’prisni?!
~ Një kapitull i ri në karrierën e Tunës ~
Ashtu siç ishte parashikuar, albumi më i ri i Tunës, “Fortuna” – pas versionit në CD – u publikua në të gjitha platformat online, përfshirë këtu edhe YouTube-in. 7 këngët e albumit sollën një Tuna ndryshe, krejt tjetër nga ajo e këngës “Chonga” apo “Maria” duke vendosur edhe njëherë në skenë Tunën e “Biletës” apo “Piroman”.
Me këngë që ndryshojnë melodi në varësi të tematikës, herë më të lumtura e herë duke i kënduar një dashurie të humbur, albumi ishte padyshim mënyra e duhur që Tuna t’i rikthehej muzikës së mirë. “Gjynah që këngë si ‘Testamenti’, ‘Bileta’, ‘Inati’ të përfundonin në arkivat e televizioneve,” u shpreh ajo në një intervistë ekskluzive për Anabel rreth 10 vite më parë.
“Do të gjeni veten në faqet e tij, ju garantoj... diku mes dorëzimit, përgjërimit, urrejtjes e dashurisë. Do të gjeni edhe forcën për të falur, madje më së shumti veten. Vetëm nëse jeni gati të kuroheni. Ky album është kurë për zemrën e secilit që dashuroi, së paku një herë. Është epos për fortunat e një zemre... Fortunat tona le te jenë këngët më të bukura.” – u shpreh Tuna pas koncertit promovues të mbajtur në Filarmoninë e Shkupit më 8 Mars.
Fill pas publikimit, “Fortuna” i përmbushi dhe i tejkaloi pritshmëritë duke nisur nga skenografia, veshja, grimi për të përfunduar tek më të rëndësishmet: muzika dhe teksti. Armend Rexhepagiqi, Aida Baraku, Darko Dimitrov dhe Ylli Limani ishin bashkëpunëtorët kryesorë të këngëtares, të cilët ia dolën të sillnin një album që do të mbetet gjatë në trashëgiminë e muzikës së lehtë shqiptare.
Për të përfunduar këtë artikull, na vjen mirë që artistët po kthejnë sytë tek albumet. Gurët e çmuar meritojnë të qëndrojnë bashkë!