Nuk ka përjetim më të tmerrshëm se kur shoqja jote, tanimë më e ngushta, me të cilën gjithçka shkonte për së mbari, krejt papritur nis dhe të imiton në çdo gjë. Fillimisht i thua vetes është thjesht rastësi, pastaj mendon që po fiksohesh shumë derisa rastet nuk kanë të mbaruar: rroba si të tuat apo çuditërisht i njëjti parfum.
Situata shkon deri aty sa e gjen veten përkrah një kopjeje tënden që flet, mendon dhe sillet si ti. Psikologët e lidhin këtë sjellje me faktin që të përvetësosh një stil apo të krijosh personalitetin tënd është diçka e vështirë, ndaj shpesh disa prej nesh preferojnë të marrin një model të gatshëm. Ne do t’ju tregojmë 4 hapa se si t’ja dilni në këtë rast:
1. Ndaloni dhe mendoni: mos po bëni dhe ju të njëjtën gjë si ajo?
Është normale që kur dy njerëz qëndrojnë për një kohë të mirë bashkë, huazojnë nga njëri- tjetri disa veçori. Nëse analizoni me kujdes gjendjen dhe shihni që është e dyanshme kjo do të thotë se e shihni njëra- tjetrën si burim frymëzimi dhe ju ndodh të keni përgjithësisht të njëjtat shije. Kështu nëse mikja juaj blen të njëjtat atlete si ju apo ju bashkohet në palestër pasi ju keni hedhur një selfie në Instagram, nuk është diçka aq shqetësuese sa ia vlen ta mendosh dhe të harxhosh kaq energji.
2. Shikoni nëse është diçka që mund ta anashkaloni
Kur shoqja për kokë shkon dhe bën një tatuazh të ngjashëm me tuajin apo nis blerjet në dyqanin që ju i treguat një javë më parë është shumë bezdisëse dhe e dimë këtë gjë, e kemi përjetuar gjithashtu! Por ama pyesni veten nëse ia vlen t’i japësh fund kësaj marrëdhënie për kaq gjë? Nëse mikja juaj adhuron mënyrën se si dukeni, visheni, apo ka më pak vetëbesim në kombinimin qoftë të vetëm një veshjeje sipas mendjes së saj, kjo na besoni nuk është drama dhe barra më e rëndë e kësaj botë. Ajo që po kërkojmë t’ju themi është të masni peshën e asaj çka mikja juaj kopjon te ju. Nëse shkon dhe ju kopjon një ide biznesi apo nis gjuan meshkujt që ju po i gjuanit gjithashtu, as ne nuk do ta mbanim një mike të tillë. Thjesht shihni sa vërtet prekeni dhe cënoheni.
3. Ndiqni 2 3 teknika të vogla
Nëse ju pyet ku e bletë varësen dhe shkon blen një të njëjtë, mund thjesht t’i thoni herën tjetër nuk e mbaj mend. Kështu u bëni bisht situatave të sikletshme dhe e mësoni miken me idenë: Këtë nuk e gjen dot, ndaj gjej një tjetër! Po kështu mundohuni t’i tregoni si ia bëni ju personalisht të zgjidhni vetë dhe mësojani të bëjë diçka të ngjashme.
4. Por nëse dëshironi të dilni drejt e në temë, thuajani troç atëherë!
Flisni me të. Nëse doni shoqëri të sinqertë, ja ku e keni. Thuajini si qëndron puna dhe nëse ajo e mohon apo ju fajësoj se në fakt ju po e kopjoni, thuajini “mirupafshim” dhe ja. Nëse arrini të kuptoheni, përpiquni që së bashku të zbuloni çfarë i pëlqen mikes vërtet. Flisni qetë, butë dhe mos e gjykoni. Shpresojmë të mos devijoni nga rruga e miqësisë së ngushtë, të vazhdoni të ecni krah për krah njëra- tjetrës, jo me të njëjtat këpucë ama!
Burimi: Cosmopolitan