Nëna e 14-vjeçarit, Martin Cani, reagoi në emisionin "Opinion" lidhur me publikimin e videos së momentit të vrasjes së djalit të saj në media dhe rrjete sociale.
Floriana Cani deklaroi se ekspozimi ndaj atyre pamjeve ishte një tronditje shumë e madhe psikologjike për të, ndërsa theksoi se nuk ishte në dijeni që ai material do publikohej.
"Të them të drejtën, po përpiqemi të mbajmë veten dhe ta kthejmë dhimbjen në forcë. Isha jashtëzakonisht e tronditur, një tronditje shumë e madhe psikologjike. Nuk e dija që videoja ishte publikuar. Nuk munda ta shikoja.
Ne kërkojmë ndëshkim, asgjë më shumë. Jetojmë në dhimbje dhe nuk dua që videoja të shfaqet vazhdimisht. Shfaqja e videos është shumë serioze", tha nëna e të ndjerit.
View this post on Instagram
Më tej, ajo ngriti pikëpyetje sa i përket zbardhjes së ngjarjes, duke theksuar se ka dyshime që krimi po manipulohet.
“Me thënë të drejtën, pikëpyetjet janë të mëdha. Ka manipulime në të gjitha drejtimet. Nuk kishte banda kriminale atje, por kishte fëmijë, është shumë e lehtë për t’u zbuluar”, tha ajo.
Mediat në vend publikuan të martën, 10 qershor, pamjet që paraqisnin skenën e krimit që i mori jetën Martin Canit, vetëm disa metra larg shkollës “Fan Noli”.